Ambasada e Kroacisë i dhuron 50 mijë maska dhe 500 veshje mbrojtëse Policisë shqiptare

Ambasadori i Kroacisë në Shqipëri, Zlatko Kramariç, i ka dorëzuar sot drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, donacionin me mjete mbrojtëse nga COVID-19 për punonjësit e Policisë.

Ambasadori kroat këtë donacion e ka konsideruar si simbol të miqësisë ndërmjet dy vendeve.

“Në emër të Qeverisë së Kroacisë ndjehem i nderuar të dorëzoj këtë donacion me mjete mbrojtëse për Policinë e Shtetit. Oficerët e Policisë, përveç stafit mjekësor, janë në vijën e parë të kësaj sfide epidemie. Në besojmë së kjo sfidë epidemie dhe lufta kundër armikut të padukshëm mund të fitohet vetëm nëpërmjet përpjekjeve të përbashkëta. Vetëm nëpërmjet solidaritetit dhe unitetit ne do jemi më të fortë”, citohet të ketë thënë ambasadori i Kroacisë.

Diplomati kroat ka premtuar se vendi i tij do të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë në rrugën europiane, sidomos tani pas vendimit pozitiv të Këshillit të BE-së për të hapur negociatat për anëntarësim.

Ndërsa, drejtori i Policisë, Ardi Veliu, ka falenderuar Qeverinë kroate për donacionin, sidomos në këto ditë të vështira të luftës kundër COVID-19.

“Padyshim që kemi nevojë që të ndihmojmë njëri-tjetrin në këto situata, për faktin se solidariteti në këto ditë të vështira është absolutisht një vlerë dhe padyshim kjo tregon dhe një vlerë të shtuar të popullit kroat dhe për marrëdhënien shumë të mirë që populli kroat dhe populli shqiptar kanë ndërmjet tyre”, ka thënë ai.