Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli - Foto: KALLXO.com

Ambasada e Kosovës në Shqipëri nuk ka informacione rreth vendndodhjes së Pacollit

Ambasada e Republikës së Kosovës në Shqipëri nuk ka informacione rreth vendndodhjes së deputetit Behgjet Pacolli.

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani, në një deklaratë për KALLXO.com ka potencuar se nuk e posedojnë asnjë informatë rreth Pacollit.

“Ne nuk dimë asgjë. Unë jam në Tiranë dhe konsulli është në Tiranë. Neve nuk na ka kërkuar askush asgjë si Ambasadë. Të gjitha informacionet që i kemi ne, i kemi marrë nga mediat, por asnjë nga rrugët institucionale dhe as nuk na ka kontaktuar asnjëherë Pacolli”, ka deklaruar ambasadori Nait Hasani.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Gent Cakaj, por i njëjti nuk ka pranuar të flasë për këtë çështje.

Kërkesa për kthim nga Zvicra në Kosovë në kohën e pandemisë dhe krizës politike e deputetit të Kuvendit nga radhët e Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, e zhyti këtë të fundit në polemika me qeveritarët dhe me zyrtarët e diplomatët ndërkombëtarë.