
Ambasada e Kosovës në Norvegji: Në hyrje të objektit të Ambasadës u vendos slogan nacionalist serb, akt kërcënimi për Kosovën e personelin
Në hyrjen e Ambasadës së Kosovës në Norvegji është vendosur një letër me mbishkrim nacionalist serb.
Përmes në njoftimi për media, Ambasada e Kosovës në Norvegji është shprehur e shqetësuar me vendosjen e një slogani nacionalist serb në hyrjen e kësaj Ambasade në Oslo.
“Thellësisht të shqetësuar për imazhin alarmues dhe sloganin nacionalist serb të vendosur në hyrje të Ambasadës sonë në Oslo.” – ka shkruar kjo Ambasadë në “Facebook”.
Në këtë letër që është vendosur në hyrje të Ambasadës shkruhet: “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”
Ambasada e Kosovës në Norvegji e ka quajtur kërcënim të drejtpërdrejtë për Kosovën dhe personelin e Ambasadës vendosjen e sloganit nacionalist serb.
“Ky akt është një kërcënim i drejtpërdrejtë për Republikën e Kosovës, personelin e Ambasadës, cenon normat ndërkombëtare dhe cenon parimet e diplomacisë dhe respektit reciprok.” – thuhet në njoftimin e Ambasadës.
Nuk është hera e parë që ky lloj shkrimi është shkruar. Edhe më parë, në mure të objekteve të ndryshme në qytetet në veri të Kosovës është vendosur ky shkrim.
KALLXO.com kishte raportuar për raste të shkrimeve me mesazhe të njëjta, në: Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok.
Një thirrje e tillë ishte parë fillimisht në një ndeshje futbolli në Beograd, e që ishte krijuar nga tifozët e klubit Crvena Zvezda, më 26.07.2023, në një ndeshje miqësore me klubin Fiorentina.
Thirrja “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”, e ngjyrosur me ngjyrat e flamurit të Serbisë, një tank mbrapa i formuar nga tifozët së bashku me flamurin e Serbisë në sfond, u mbajtën për disa minuta gjatë kësaj ndeshje futbolli.
Për këtë kishte reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Dje Crvena Zvezda bëri thirrje që ushtria serbe të kthehet në Kosovë. Thirrjet për dhunë janë të pandërprera.” – kishte shkruar Kurti në rrjetin social X, një ditë pasi ishte shfaqur ky baner.