Foto: REL/AFP

Ambasada e Kosovës në Katar publikon numrat emergjentë për kosovarët që ndodhen në Afganistan

Ambasada e Kosovës në kryeqytetin e Katarit, Doha, ka publikuar një numër emergjent për shtetasit kosovarë që gjenden ende në Afganistan.

Sipas një njoftimi, Qeveria e Kosovës përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Presidenca e Kosovës, janë duke punuar me intensitet të lartë për identifikimin e shtetasve të Kosovës që ndodhen atje dhe ofrimin e ndihmës për largim.

Lidhur me këtë është hapur edhe një linjë emergjente me numër +383 45 492 316, ku mund të lajmërohen të gjithë shtetasit kosovarë, për të marrë sa më parë udhëzimet dhe ndihmën e duhur

Sipas Ambasadës, është duke u punuar bashkë me partnerët ndërkombëtarë që të shfrytëzohen të gjitha rrugët dhe mjetet për të mundësuar një evakuim të sigurtë për të gjithë.

Në anën tjetër, Presidenti afgan Ashraf Ghani tha të dielën se ishte larguar nga vendi për të shmangur gjakderdhjen, ndërsa talebanët kishin hyrë në pallatin presidencial në Kabul.

Në disa komente të tij në Facebook zoti Ghani shkruante se ishte larguar për të shmangur përplasjet me talebanët që do të rrezikonin jetën e miliona banorëve të Kabulit sikurse shkruante ai. Këto janë komentet e tij të para që nga largimi nga vendi. Zoti Ghnai nuk dha detaje mbi vendndodhjen e tij aktuale. Por më herët agjencia e lajmeve Reuters njoftoi se Presidenti Ghani ishte nisur drejt Taxhikistanit.

Presidenti afgan: U largova nga vendi për të shmangur gjakderdhjen