Foto: REL/Reuters

Ambasada e Kosovës në Itali: S`ka kosovarë të prekur nga Koronavirusi

Ambasada e Kosovës në Itali ka njoftuar se deri më tani nuk ka asnjë shtetas të Kosovës të prekur me Koronavirus.

Në njoftim thuhet se Ambasada e Republikës së Kosovës në Romë së bashku me Konsullatën e Përgjithshme në Milano, janë duke e monitoruar dhe ndjekur me shumë vëmendje dhe kujdes emergjencën shëndetësore lidhur me përhapjen e Koronavirus – Covid 19 në Itali.

“Fatmirësisht, deri më sot nuk rezulton i prekur nga ky virus asnjë shtetas nga Kosova. U bëjmë thirrje shtetasve tanë me banim/qëndrim në Itali, se në rast nevoje mund të na kontaktojnë në çdo moment në numrat e emergjencës 24/7. Në koordinim me organet dhe institucionet tona dhe ato vendore italiane, mbetemi në gatishmëri të plotë të shtetasve tanë”, thuhet në njoftim.

Ambasada ka njoftuar se për çdo eventualitet numri i emergjencave në Romë është: +393274526991; dhe ai i Konsullatës së Përgjithshme në Milano: +393472127662.

Ndryshe, në vetëm dy ditë në Itali të prekurit me Koronavirus kanë tejkaluar numrin 130, me 90 vetëm në Lombardi, e shumë të tjerë në Veneto./rtk