Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli - Foto: KALLXO.com

Ambasada e Kosovës në Francë ofron ndihmë për familjen që humbi dy fëmijë

Dy fëmijë me origjinë nga Kosova janë mbytur dje pasdite në një lumë në Francë.

Pas këtij lajmi ka reaguar edhe ministri i Jashtëm i Kosovës në detyrë, Behgjet Pacolli.

Pacolli ka shprehur ngushëllime për prindërit e fëmijëve, familjen dhe miqtë e tyre.

Përveç kësaj Pacolli ka thënë se minisoni diplomatik kosovar në Paris do t’i jap ndihmën e nevojshme familjes që kanë humbur tragjikisht dy fëmijë.

“Mendimet tona janë me ata në këto momente të vështira dhe misioni ynë diplomatik në Paris do të sigurojë të gjithë ndihmën e nevojshme për ata në këto momente të dhimbshme”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

Edhe kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj ka shprehur ngushëllime për vdekjen e dy fëmijëve.

“Tragjike, lajmi për dy fëmijët nga Kosova që humbën jetën aksidentalisht duke rënë në lum në qytetin Montbrison, Loire të Francës. U shpreh ngushëllimet e sinqerta familjarëve!”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Sipas Agjencisë së lajmeve AFP, dy viktimat kanë qenë të mitur ndërsa tragjedia kishte ndodhur në Moingt, ujërat e të cilit kanë rritur nivelin kohëve të fundit pas shiut të rënë.

Sipas AFP-së, nëna e dy fëmijëve ishte duke luajtur me ta para lumit Moing dhe e njëjta kishte deklaruar se fillimisht kishte qenë djali i saj e më pas vajza kishte kërcyer në lum për ta shpëtuar të vëllain.

Nëna gjithashtu kishte deklaruar edhe se pas dy fëmijëve edhe ajo kishte kërcyer në lum për t’i shpëtuar fëmijët por nuk kishte arritur që t’i nxirrte të gjallë.