Ilustrim: Viza FOTO: RTK

Ambasada e Italisë fillon pranimin e aplikacioneve për vizë me këto kushte

Ambasada e Italisë në Prishtinë ka njoftuar se do të filloj punën me 22 qershor për pranimin e aplikacioneve për vizë.

Në një njoftim, Ambasada e Italisë ka thënë se aplikacionet për vizë do të pranohen për punë (jo për biznes), për motive familjare, operatorë e studiues shëndetësor dhe profesionistë të kujdesit për të moshuarit, punëtorët profesional, personel të transportit, diplomat, stafi i organizatave ndërkombëtare, personeli ushtarak dhe punëtorët humanitarë në ushtrimin e funksioneve të tyre si dhe për personat që kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare.

Ambasada ka thënë se për të caktuar termin, palët e interesuara mund të shkruajnë në adresën e [email protected]. Gjithashtu në këtë adresë gjendet edhe lista e dokumenteve që duhet të dorëzohen.

Po ashtu Ambasada e Italisë në Prishtinë ka treguar edhe për kushtet e punës.

“Hyrja në Ambasadë lejohet vetëm në përputhje me masat e kontrollit të infeksionit koronavirus. Duhet të mbani pajisje mbrojtëse personale (maska ​​dhe doreza), përndryshe nuk ju lejohet hyrja në Ambasadë. Vizitorët do t’i nënshtrohen kontrollit të temperaturës së trupit, nëse është mbi 37.5 °, do të ndalohet hyrja brenda”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se edhe në rastin e dhënies së vizës hyrëse, të huajt që hyjnë në Itali do të duhet të dëshmojnë arsyet e hyrjes së tyre në territorin kombëtar me anë të një vetëdeklarimi përkatës të bazuar në dispozitat në fuqi.