Ruairi O'Connell, ambasador i Britanisë së Madhe në Kosovë. Foto: Atdhe Mulla

Ambasada e Britanisë njofton për proceset e rekrutimit të lëna në gjysmë

Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka thënë se disa prej proceseve të rekrutimit nëpër agjencitë e pavarura në Kosovë, pas shpërndarjes së Kuvendit, kanë mbetur në gjysmë.

“Qeveria Britanike ka investuar shumë në Projektin e Rekrutimit, dhe në luftën kundër korrupsionit në përgjithësi. Përkundër disa emërimeve që janë bërë në kundërshtim me parimin e meritokracisë, rezultatet e këtij projekti në përgjithësi janë pozitive”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Bretërisë së Bashkuar.

Ata kanë njoftuar edhe për institucionet në të cilat kanë mbetur në gjysmë këto rekrutime.

“Me shpërbërjen e Kuvendit, disa procese rekrutuese të filluara, apo të përfunduara, nuk kanë arritur të procedohen në shkallën tjetër apo të finalizohen me emërim. Të tilla, sipas datës kur janë zhvilluar proceset rekrutuese, janë: 1) Kryeshef Ekzekutiv në Agjencinë për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsim për të Rritur; 2) Anëtarë të Bordit për Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu /KOSTT; 3) Anëtarë të Bordit në Ndërmarrjen e Re Energjetike të Kosovës Sh.A / nKEK; 4) Anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikqyrës për Shërbimin Civil; 5) Anëtarë të Organit Shqyrtues të Prokurimit /OSHP; 6) Anëtarë të Bordit për Ankesa të Mediave; 7) Anëtarë të Komisionit të Pavarur të Mediave; 8) Anëtarë të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës /RTK; 9) Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.

“Shpresojmë se institucionet e ardhshme nuk do t’i kthejnë në fillim këto pozita për të cilat procesi teknik rekrutues është zhvilluar në pajtim me ligjin, dhe ka prodhuar kandidat të kualifikuar për emërim”, thuhet në fund të njoftimit.

Qeveria Britanike ka investuar shumë në Projektin e Rekrutimit, dhe në luftën kundër korrupsionit në përgjithësi. …

Publiée par British Embassy Pristina sur Jeudi 29 août 2019