Ambasada britanike nuk do të asistojë në konkursin e ri për bordin e OShP-së

Ambasada britanike në Kosovë nuk do t’i asistojë Qeverisë së Kosovës në procesin e ri për rekrutimin e bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Qeveria e Kosovës ka shpallur konkurs të ri për zgjedhjen e bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, i cili është mbyllur më 24 dhjetor 2021. Konkursi i kaluar në të cilin ka asistuar Ambasada Britanike në Kosovë ka dështuar për shkak se kandidatët nuk janë votuar në Kuvendin e Kosovës.

“Ambasada Britanike në Prishtinë nuk do të asistojë në procesin e ri për zgjedhjen e bordit të OShP-së. Qëndrimi ynë i vazhdueshëm për raste të tilla është se projekti i Ambasadës Britanike nuk do të jetë në gjendje të mbështesë përsëri procesin, në rastet kur rekrutimi ka përfunduar me sukses dhe ka rezultuar me kandidatë që janë të emërueshëm”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës Britanike për KALLXO.com.

Qeveria e ka hapur përsëri më 10 dhjetor konkursin e ri për anëtarë dhe kryetar të bordit të OShP-së. Kandidatët e interesuar kanë pasur mundësi që të aplikojnë deri më 24 dhjetor.

KALLXO.com ka kërkuar një koment nga Qeveria e Kosovës në lidhje me tërheqjen e Ambasadës Britanike ka procesi i ri për zgjedhjen e bordit të OShP-së.

Qeveria e Kosovës ka thënë se i konsiderojnë monitoruesit britanikë partnerë në mbarëvajtjen dhe përmbylljen e proceseve rekrutuese, dhe tërheqja potenciale e tyre nuk është e mirëseardhur.

“Në rastet e caktuara të dështimit në votim, siç është rasti me OSHP-në, konkursi duhet të përsëritet.  Qeveria e Republikës së Kosovës zotohet që të rekrutohen personat me të aftë dhe më profesional për të performuar në pozitat e caktuara, kurse bashkëpunimi me Ambasadën Britanike do të vazhdojë për konkurset tjera publike te pozitave te larta drejtuese”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë së Kosovës.

Janë bërë 9 muaj që kur Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP), i njohur si gjykata e tenderëve, ka mbetur pa bord. Që nga ajo kohë, numri i ankesave nga operatorët ekonomik në drejtim të OShP-së ka shkuar pothuajse në 600.

Tentativat për ta funksionalizuar bordin ishin bërë me hapjen e konkursit më 26 maj, por në Kuvend më 6 dhjetor përfundimisht dështoi procesi i emërimit të kryetarit dhe anëtarëve të këtij bordi.

Votimi dështoi për dy herë radhazi. Herën e parë dështoi më 23 nëntor për shkak të mungesës së kourimit, ndërsa më 6 dhjetor dështoi emërimi i tyre pasi ishin vetëm dy vota për, 64 kundër dhe një abstenim.

KALLXO.com ka raportuar për dallimet në poentimin e kandidatëve për anëtarë të bordit të OShP-së në mes tre gjyqtarëve vendorë dhe përfaqësueseve të Ambasadës britanike që kanë marrë pjesë në vlerësim.

Asnjë grua nuk është rekomanduar për të qenë pjesë e bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit nga komisioni vendor i përbërë nga tre gjyqtarë: Hajriz Hoti nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Nenad Laziq nga Gjykata e Apelit dhe Mejreme Memaj nga Gjykata Supreme.

Për dallim nga gjyqtarët, përfaqësuesit e projektit të Ambasadës së Britanisë që kanë asistuar në këtë projekt, kanë vlerësuar se dy gra i plotësojnë kushtet për të qenë pjesë e bordit të OShP-së, që njihet si Gjykata e Tenderëve.

Vjosa Gradinaj-Mexhuani, njëra prej kandidateve të emërueshme, ishte më e poentuara nga ekspertët britanikë në mesin e 20 kandidatëve të intervistuar. Prej britanikëve për anëtare të bordit është rekomanduar edhe kandidatja Shqipe Hoti.

Dallime në poentim kishte edhe te kandidatët e tjerë, gjë që është reflektuar edhe në listat finale të dorëzuara nga dy komisionet vlerësuese që kanë dallime të mëdha.

Komisioni vendor i përbërë nga tre gjyqtarë i ka dërguar në Kuvend vetëm 5 emra për pesë pozita: 1 për kryetar dhe 4 të tjerë për anëtarë.

Për kryetar të bordit të OShP-së, komisioni vendor e ka dërguar në Kuvend kandidatin Ardian Behra, të cilin e kishin poentuar me 32.3 pikë. Kurse për anëtarë të bordit janë rekomanduar: Hasim Krasniqi me 28.7 pikë, Faruk Rexhaj me 28.0 pikë, Adem Spahiu me 26.3 pikë dhe Ruzhdi Morina me 26.0 pikë.

Në mesin e kandidatëve më të poentuar nga komisioni vendor janë edhe dy kandidatë që sipas vlerësimit të ekspertëve britanikë nuk i plotësojnë kriteret për emërim në bordin e OShP-së. Hasim Krasniqi dhe Adem Spahiu nuk janë në mesin e kandidatëve të emërueshëm për bordin e OShP-së sipas vlerësimeve të bëra nga ekspertët britanikë, por ata janë rekomanduar për anëtarë të bordit të OShP-së.

Ekspertët britanikë, si zakonisht, kanë një poentim më të ulët për secilin kandidat. Kandidatja më e votuar nga ekspertët britanikë ka arritur të marrë 27 pikë. Britanikët për pozitën e kryetarit i kanë dërguar dy emra si të emërueshëm: Ardian Behra me 26.5 pikë dhe dhe Ruzhdi Morina me 25 pikë.

Kurse, për anëtarë të bordit ekspertët britanikë i kanë rekomanduar 6 kandidatë, prej të cilëve dy gra dhe një nga komuniteti pakicë. Kandidatja më e vlerësuar nga ekspertët britanikë ishte Vjosa Gradinaj-Mexhuani me 27 pikë, e cila është rekomanduar për anëtarë të bordit.  Gradinaj-Mexhuani nuk është propozuar fare për bordin e OShP-së nga komisioni vendor i përbërë nga tre gjyqtarë.

Ruzhdi Morina, që ka kandiduar edhe për kryetar e edhe për anëtar të bordit, është propozuar si i emërueshëm për dy pozitat nga ekspertët britanikë. Ndërsa, kandidati Faruk Rexha është futur në listën e kandidatëve të emërueshëm nga dy komisionet vlerësuese: komisioni vendor dhe ai me ekspertë britanikë.

Në mesin e kandidatëve që i plotësojnë kushtet për të qenë anëtarë të bordit të OShP-së, sipas ekspertëve britanikë, janë edhe Boban Petkoviq, që është poentuar me 24 pikë, Shqipe Hoti, që ka marrë 22.5 pikë dhe Gazmend Gashi, që ka marrë 22 pikë. Këta tre kandidatë nuk janë propozuar për anëtarë të bordit nga komisioni vendor i përbërë nga tre gjyqtarë.

Në garë për kryetar dhe anëtarë të bordit të OShP-së kanë qenë 27 kandidatë, prej të cilëve 20 janë intervistuar e 7 janë tërhequr nga gara.

Shënim: Në ora 22:10 artikulli është plotësuar me përgjigjen e Qeverisë së Kosovës.