Isa Mustafa - Albin Kurti

Ambasada britanike: LVV e LDK t'i tejkalojnë dallimet e ta formojnë Qeverinë!

Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë u ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së që t’i tejkalojnë dallimet dhe sa më shpejt ta formojnë Qeverinë.

“Më shumë se 12 javë që nga zgjedhjet e 6 tetorit, Kosovës i duhet një qeveri e re. Çështjet urgjente siç janë buxheti, arsimi si dhe vendimet administrative të bllokuara duhet të adresohen. Të dyja, Vetëvendosje dhe LDK, të cilat qartazi kanë fituar zgjedhjet, duhet të punojnë së bashku që të tejkalojnë dallimet në mes tyre dhe të formojnë qeverinë që do të adresojë çështjet më me prioritet të popullit të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Sipas Ambasadës, LVV-ja dhe LDK-ja duhet t’i pranojnë qasjet e ndryshme të njëra-tjetrës dhe duhet t’i respektojnë votuesit si dhe Kushtetutën e Kosovës.

“Ato duhet të bëjnë këtë në frymën e tolerancës, duke pranuar qasjet e tyre të ndryshme të qeverisjes. Respekti për votuesit dhe Kushtetutën do të thotë vullnet për të punuar sinqerisht së bashku për t’i treguar vendit se ata munden të ofrojnë lidership për ndryshimin”, thuhet tutje.

Zgjedhjet në Kosovë janë mbajtur më 6 tetor. E para në këto zgjedhje doli LVV-ja e pasuar nga LDK-ja, parti të cilat parimisht u deklaruan për formimin e qeverisë së re, mirëpo negociatat për marrëveshje janë bllokuar për shkak të postit të presidentit, post të cilin LDK-ja e kërkon.

Në anën tjetër, ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, sot ka takuar liderët e dy partive, mirëpo asnjëra nga partitë nuk kanë bërë publike detajet nga këto takime.

Ambasadori Kosnett në takim me Isa Mustafën

Kosnett takon edhe Albin Kurtin