Foto: Facebook

Ambasada britanike kërkon që Qeveria të formohet sa më shpejt

Ambasada britanike në Kosovë ka mirëpritur konstituimin e Kuvendit dhe ka uruar Glauk Konjufcën si kryekuvendar si dhe të gjithë anëtarët e tjerë të Kuvendit të Kosovës.

“Ne mirëpresim përurimin e Kuvendit të ri të Kosovës dhe urojmë kryetarin e ri Glauk Konjufca dhe zëvendëskryetarët e rinj për emërimin e tyre”, ka thënë Ambasada përmes një postimi në Facebook.

Gjithashtu, Ambasada britanike ka thënë se formimi i Qeverisë së Kosovës pas zgjedhjeve të 6 tetorit është vonuar, duke kërkuar formimin e saj sa më shpejt.

“Pothuajse tre muaj nga zgjedhjet parlamentare, formimi i një qeverie të re është vonuar për një kohë të gjatë. Tani është konstituuar Kuvendi, votuesit e Kosovës meritojnë të kenë qeverinë për të cilën votuan më 6 tetor sa më shpejtë”, kanë shtuar ata.

Një kërkesë të tillë e ka pasur edhe Ambasada e ShBA-së në Kosovë.

Ambasada e ShBA-s mirëpret konstituimin e Kuvendit, kërkon formimin e menjëhershëm të Qeverisë

LVV dhe LDK ka ditë që nuk po mund të arrijnë një koalicion për bashkëqeverisje për shkak të postit të presidentit.

Madje sot seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës i gjeti këto parti pa ndonjë marrëveshje.

Në këtë seancë megjithatë u zgjedhën kreytari i Kuvendit, Glauk Konjufca nga LVV dhe pesë nënkryetarët: Arbërie Nagavci nga LVV, Kujtim Shala nga LDK, Memli Krasniqi nga PDK, Slavko Simiq nga Lista Serbe dhe Fikrim Damka nga komunitetet pakicë.