Ambasada britanike ia dhuron Policisë së Kosovës katër dronë
Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka dhuruar katër dronë për Policinë e Kosovës.
Policia përmes një komunikate bëri të ditur se donacioni u bë në kuadër të një marrëveshje partneriteti nënshkruar nga ambasadori Jonathan Hargreaves dhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti.
“Kjo marrëveshje ka të bëjë me dhurimin e katër dronëve, të cilët do të ndihmojnë njësitet policore në raste të ndryshme, si në identifikimin, gjurmimin, monitorimin dhe përcaktimin e vendndodhjes së automjeteve dhe personave të dyshimtë. Duke përdorur imazhërinë/rezolucionin e lartë dhe aftësitë termale të këtyre pajisjeve, mund të ndihmojnë njësitet policore në marrje të vendimeve të bazuara në informacion, fotografi, xhirime dhe imazhe/prova”- thuhet në komunikatë.
Më tej policia thekson se pajisjet e specializuara do të luajnë një rol jetësor në Polici të Kosovës.
“Do të rrisin dhe do të profesionalizojnë edhe më tej punën e Policisë së Kosovës, në veçanti të njësiteve kufitare të cilat kujdesen për parandalim të krimit transkufitar, kontrabandës dhe migrimit të paligjshëm”- thuhet tutje në komunikatë.
Policia e Kosovës po ashtu ka falënderuar Ambasadën britanike në Kosovë për përkrahjen dhe mbështetjen e vazhdueshme.
“Policia këtë donacion do ta vërë në funksion të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, patrullimit kufitar, si dhe shërbimit sa më efikas e cilësor ndaj qytetarëve dhe vendit”- theksohet më tej.