Ambasada Amerikane: Vaksinat nuk përmbajnë mikroçipa

Ambasada Amerikane në Kosovë ka shkruar në lidhje me dilemat se vaksinat kundër virusit Coronavirusit përmbajnë mikroçipa, ashtu siç patën lindur dyshimet që nga fillimi i vaksinimit.

Sipas Ambasadës Amerikane vaksinat janë zhvilluar për të luftuar infeksionin dhe nuk i administrojnë apo i ndjekin lëvizjet e njerëzve.

“Vaksinat funksionojnë duke stimuluar sistemin tuaj imunitar për të prodhuar antitrupa, saktësisht si do të ishte nëse do të ishit të ekspozuar ndaj sëmundjes. Pas vaksinimit, ju krijoni imunitet ndaj asaj sëmundjeje, pa pasur nevojë të merrni sëmundjen më parë”, thuhet në shkrimin e Ambasadës.

Pas më shumë se një vit përballje me infeksionin SARS-CoV-2 në tregun medicinal doli vaksina kundër këtij virusi.

Shpërndarja dhe procesi i imunizimit filloi menjëherë nëpër botë. Sipas ekspertëve të fushës së mjekësisë, vaksina nuk e parandalon përhapjen e infeksioni por qytetarëve ua rritë antitrupat në organizëm.

Sa i përket Kosovës, deri më tani të vaksinuar me një dozë kundër COVID-19 janë 729 mijë e 554 qytetarë, përderisa 244 mijë e 235 prej tyre janë të vaksinuar komplet apo me dy doza.

Aktualisht në Kosovë janë 21 mijë e 922 raste aktive me COVID-19.