Ambasada amerikane tërhiqet nga monitorimi në Këshillin Prokurorial, e quan procesin të thyer

Ambasada Amerikane në Kosovë është tërhequr nga monitorimi në zgjedhjet e anëtarëve në Këshillin Prokurorial të Kosovës, si dhe kryeprokurororët.

Tërheqja nga monitorimi siç thotë ambasada është bërë për shkak se këto procese janë “prishur rrënjësisht”.

“Për vite, Ambasada Amerikane ka luajtur një rol monitorues dhe mentorues në proceset për të zgjedhur anëtarët e rinj të Këshillit Prokurorial të Kosovës si dhe për të zgjedhur Kryeprokurorët. Fatkeqësisht, ne besojmë se këto procese tani janë prishur rrënjësisht”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Sipas njoftimit, ambasada ka thënë se këtyre proceseve u ka humbur transparenca ndërsa kanë përmendur edhe zgjedhjen e prokurorëve në bazë të përkatësisë politike.

“Atyre u mungon transparenca dhe i nënshtrohen konflikteve të interesit. Meqenëse përfshirja e mëtejshme e Ambasadës mund të interpretohet keq si miratim i këtij sistemi të prishur, ne nuk do të marrim pjesë. Prokurorët duhet të zgjidhen në bazë të kualifikimeve të tyre, jo përkatësisë politike ose lidhjeve”, thuhet tutje në njoftim.

Ambasada Amerikane ka bërë thirrje për të përfunduar rishikimin funksional.

“Ndryshimet në kornizën ligjore që mbështet Këshillin Prokurorial të Kosovës janë të nevojshme për të rivendosur transparencën dhe drejtësinë e këtij sistemi. Prandaj, ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të mbështesin përpjekjet e Ministrit të Drejtësisë për të përfunduar menjëherë Rishikimin Funksional”, thuhet në fund të njoftimit.

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka njoftuar se është marrë vendim për shpalljen e zgjedhjeve për anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës nga radhët e prokurorive themelore të Prishtinës, Prizrenit, Pejës, Ferizajt, Gjakovës, Mitrovicës dhe Gjilanit. Pas vendimit për shpalljen e zgjedhjeve është themeluar Komisioni Zgjedhor, i cili do të udhëhiqet nga Agron Beka, anëtar i KPK-së nga radhët e fakulteteve juridike.