Futbollisti nga Graçanica, Ilija Iviq

Ambasada amerikane: Politika nuk ka vend në sport

Ambasada amerikane në Kosovë e ka uruar futbollistin e ri serb nga Graçanica, Ilija Iviq, që po frymëzon të rinjtë të ndjekin ëndrrat e tyre.

Më tej Ambasada amerikane ka thënë se politika nuk ka vend në sport.

“Urime për Ilija Iviqin! Ai frymëzon të gjithë të rinjtë në Kosovë që të punojnë shumë, të zhvillojnë talentet e tyre dhe të ndjekin ëndrrat e tyre. Politika nuk ka vend në sport. Ky është një moment për të festuar diversitetin dhe një sportist i ri të talentuar të Kosovës. Kosova është shtëpia jote”, theksohet në postimin e Ambasadës së ShBA-së në Kosovës në Twitter.

Para disa ditëve u bë i ditur lajmi se i riu nga Graçanica, Ilija Iviq, i cili luan për klubin e Flamurtarit, kishte zgjedhur të luante për kombëtaren e Kosovës U19, pas propozimit të trajnerit të kësaj të fundit.

Me t’u bërë lajmi publik, Federata e Futbollit të Kosovës kishte dalë me një njoftim se Komuna e Graçanicës i ka larguar nga puna të dy prindërit e Iviqit, për shkak se ai kishte pranuar t’i mbrojë ngjyrat e flamurit të Kosovës në futboll.

Pas njoftimit të FFK-së pati edhe reagime nga krerë politik.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte bërë thirrje që Iviq të ishte i lirë të zgjidhte të luante për këdo që dëshironte.