Ambasada amerikane pas masave të reja: Të jemi të disiplinuar këtë vikend

Pas vendimeve të reja të marra nga Ministria e Shëndetësisë kundër Covid’it, ambasada amerikane në Kosovë iu ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës të jenë të disiplinuar, në mënyrë që t’i kthehen normalitetit në ditëve në vijim.

Një gjë të tillë ambasada e ka thënë përmes një postimi në faqen zyrtare në ‘Facebook’, duke shpërndarë masat e reja të ndërmarra nga institucionet kosovare.

“Përdersa numri i rasteve me Covid-19 vazhdon të rritet, Është e rëndësishëm që të bashkëpunojmë të gjithë për rrafshimin e kurbës. Të jemi të disiplinuar këtë vikend, në mënyrë që t’i rikthemi punës prapë”, ka shkruar konsullata amerikane në Prishtinë.

“Qëndroni në shtëpi dhe vëni maskat”, ka porositur ajo qytetarët e Kosovës.

Ndryshe, Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me komitetin për parandalimin e përhapjes Covid-19, ka ndërmarrë masa të reja pas rritjes së shifrave ditorë të të infektuarve me virusin korona.

Në masat e reja, parashihet që të mbyllen të gjitha bizneset, qendrat tregtare, supermarketet, e gastronomia nga ora 20:00 të premten deri në orën 05:00 të së hënës.

Ndërkaq, të hapura do mbesin furrat e bukës, barnatoret, marketet e vogla, pompat e benzinës, bashkë me institucione private e publike për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale./RTK