Ambasada amerikane lavdëron profesionalizmin e ministrit Vitia në menaxhimin e krizës së COVID-19

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka dërguar një letër falënderimi për ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me angazhimin në luftën kundër coronavirusit.

Në letër thuhet se konferenca e përbashkët e Vitisë me ministrin Dalibor Jevtiq më 2 prill ka treguar lidership dhe përkushtim.

“Më lejoni t’iu shpreh vlerësimin tim të sinqertë ndaj përpjekjeve të juaja për të fuqizuar bashkëpunimin që nevojitet për përkujdesje mjekësore për qytetarët e Kosovës. Konferenca e juaj e përbashkët me ministrin Jevtiq më 2 prill, në lidhje me COVID-19, tregoi lidership dhe përkushtim”, thuhet në letër.

Në letrën e Ambasadës amerikane thuhet se shpresojnë që ky shpirt i bashkëpunimit të vazhdojë edhe në të ardhmen.

“Profesionalizmi juaj dhe mesazhi i përfshirjes dërgoi sinjal të qartë tek të gjithë qytetarët që ju po punoni për të gjithë në këtë shtet për të adresuar virusin. Jam duke shpresuar që ky shpirt i bashkëpunimit do të vazhdojë edhe në të ardhmen brenda Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve të saj dhe në mes komuniteteve të Kosovës”, theksohet në letër.

Ministri në detyrë Arben Vitia ka falënderuar të gjithë profesionistët shëndetësorë dhe punëtorët mbështetës, zyrtarët policorë, kryetarët e komunave të Kosovës, zyrtarët komunalë, ministrat dhe partnerët nga BE e ShBA.

Vitia ka thënë se këto janë falënderime për të gjithë ata që çdo ditë pa pushim dhe me vetëmohim po merren me kujdesin për qytetarët.

“Kjo na siguron se në këto kohë të sfidave në të gjithë botën nuk jemi vetëm, por bashkë me miqtë tanë. Duke qëndruar e punuar me solidaritet të lartë njerëzor dhe pa dallime të çfarëdo natyre ne do të jemi fitues. Gjithçka ka ndërruar në rutinën e jetës sonë. Kjo kërkon vetëdijesim të lartë. Le të mos tregohemi të shkujdesur”, ka shkruar Vitia në Facebook.