Ambasada amerikane: Jemi të shqetësuar nga reagimet ndaj aksionit të Policisë

Ambasada e Shteteve të Bashkuar në Kosovë është shprehur e shqetësuar pas situatës së tensionuar në Mitrovicën e Veriut, gjatë operacionit së njësiteve policore kundër kontrabandimit të mallrave atje.

Ambasada në një përgjigje për KALLXO.com ka bërë thirrje për qetësi.

“Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara nga reagimet ndaj veprimeve të sotme të zbatimit të ligjit të Kosovës në territorin e Kosovës. E gjithë dhuna, qoftë drejtuar autoriteteve, mediave apo civilëve, është e papranueshme dhe duhet të hetohet dhe ndiqet penalisht në masën e plotë të ligjit. Ne bëjmë thirrje për qetësi”, thuhet në përgjigje e Ambasadës së ShBA-ve.

Tetë pjesëtarë policor kanë kërkuar ndihmë mjekësore pasi kanë marrë lëndime nga shpërthimet e granatave që janë hedhur gjatë aksionit të ndërmarrë nga policia kundër kontrabandës në veri te Kosovës.

Cak i kontrollimit nga Policia kanë qenë disa depo të barnave dhe barnatore në veri të vendit të cilat udhëhiqen nga njerëzit e fuqishëm të kontrabandës në veri.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi sot drejpërdrejt nga Mitrovica e Veriut.