
Ambasada amerikane: Inkurajuese për të parë se kaq shumë qytetarë dolën të votojnë paqësisht
Ambasada e ShBA-së në Kosovë e ka quajtur inkurajuese numrin e madh të qytetarëve që kanë dalur të votojnë paqësisht sot, pavarësisht kohës së ftohtë dhe COVID-19.
Por është kërkuar që t’i jepet kohë KQZ-së për numërimin e votave.
“Inkurajuese për të parë se kaq shumë qytetarë dolën të votojnë paqësisht sot, pavarësisht nga moti dhe pandemia. Tani është e rëndësishme t’i jepet kohë dhe hapësirë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe institucioneve të tjera të Kosovës për të numëruar votat dhe për të bërë punët e tyre”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së ShBA-së në Kosovë.
Sipas KQZ-së, pjesëmarrja në zgjedhjet e sotme është 47% apo 843.848 votues.
Para pak kohësh KQZ ka filluar edhe publikimin e rezultateve të numërimit të votave, kuti pas kutie.
Deri tani, LVV është duke prirë me 48,23%, PDK me 18,14%, LDK me 13,64%, AAK me 7,87% dhe Nisma Socialdemokrate me 2,56%.
Pas mbylljes së qendrave të votimit në orën 19:00, disa televizione kanë publikuar exit pollet, të cilat e kanë nxjerrë LVV-në të parën.