Foto: MSh

Amasada amerikane ofron mbështetje pas situatës me coronavirus në Kosovë

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, priti sot në takim përfaqësuese të Ambasadës së ShBA në Kosovë nga Njësia e shëndetësisë, me të cilat bashkëbisedoi lidhur me gjendjen aktuale për sa i përket coronavirusit në Kosovë.

Vitia i njoftoi bashkëbisedueset me të gjitha masat e ndërmarra deri tani për menaxhimin e situatës emergjente të shëndetit publik si dhe me hapat e tjerë që parashihen të ndërmerren lidhur me këtë situatë.

“Një nga thekset kryesore të takimit ishte raportimi në kohë reale dhe informimi i popullatës përmes institucioneve zyrtare shkaku i seriozitetit dhe ndjeshmërisë së situatës2, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Ministri mes tjerash i ka njoftuar përfaqësueset e Njësisë shëndetësore nga Ambasada amerikane për platformën informative “kosova.health”, ku qytetarët do të marrin informacione on-line lidhur me Covid-19 nga profesionistët shëndetësorë në Kosovë.

Në anën tjetër, përfaqësueset e Ambasadës amerikane thuhet se u shprehën të impresionuar dhe thanë se është duke u bërë një punë e jashtëzakonshme në MSh për menaxhimin e situatës epidemiologjike për Covid-19, njëkohësisht shprehën edhe gatishmërinë dhe mbështetjen e Ambasadës së ShBA-së për menaxhimin e situatës.

Deri më tani në Kosovë janë identifikuar 19 persona të prekur me virusin COVID-19.

Qytetet si Vitia, Malisheva, Podujeva dhe Klina janë në karantinë pasi në këto qytete u identifikuan disa të prekur me virus.

Ndërkaq, tre persona të prekur me coronavirus janë identifikuar në Aeroportin e Prishtinës pasi erdhën nga Londra.

Qeveria e Kosovës ditë më parë ka shpallur gjendjen emergjente pas situatës me rrezikun e shpërndarjes së këtij virusi.

Momentalisht në botë numërohen mbi 180 mijë të infektuar me këtë virus, dhe mbi 7 mijë kanë vdekur.

Vendet më të prekura në botë nga virusi janë Kina dhe Italia.