Aludimi në Kadri Veselin: Isa Mustafa dyshon se 'partneri i koalicionit' lejonte lotsjellësin në Kuvend

Kryetari i rizgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në një postim në “Facebook” ka renditur një nga një sulmet ndaj tij dhe LDK-së derisa ai ishte në krye të ekzekutivit.

Ai ka kujtuar kohën kur gjuhej gaz lotsjellës në sallën e legjislativit. Madje, sipas Mustafës, hyrja e lotsjellësit nuk ishte penguar nga partneri i koalicionit në atë kohë, Kadri Veseli, i cili edhe mandatin e kaluar e mbante postin e kryetarit të Kuvendit.

“Poashtu flitej se partneri i koalicionit kishte lejuar dhe mundësuar hyrjen e papenguar të gazit lotsjellës në Kuvend”, ka shkruar Mustafa.

Mustafa ka thënë gjithashtu se Veseli kishte urdhëruar pjesëtarët e sigurimit që të mos e mbronin atë në sallë të Kuvendit.

“Kur më gjuajtën me vezë, për herë të parë në sallën e Kuvendit, Kryetari i Kuvendit urdhëroi mbrojtjen time të afër ta lëshojnë sallën, e të më gjuajnë pa u penguar, por ata nuk e dëgjuan”, tha kryetari i LDK-së.

Ai ka dërguar edhe një mesazh te partia e Kadri Veselit.

“Jemi këta dhe këtu ku jemi. Ata që kanë shkelur partneritetin e dijnë përgjigjen. Me të tjerët ka hapësirë të ndërtojmë ura bashkëpunimi, të gjejmë pikat që na bëjnë bashkë, jo ato që na ndajnë”, ka shkruar Mustafa.

Ai tutje tha se nuk e ka problem të bashkëpunoj me kundërshtarët e djeshëm politik por tha se kjo po i pengon dikujt.

“Prandaj nuk kam komplekse që të bashkëpunoj, të bisedoj me kundërshtarët e djeshëm politikë. Por, po vërej se po i pengon shumë ata që e kanë zhvatur Kosovën dhe ata që anash kanë duartrokitur këtë zhvatje. Ne bashkëpunojmë me subjektet tjera për Kosovën, në çështjet në të cilat nuk kemi dallime ose në ato që mund t’i kapërcejmë dallimet. Ata që ia duan të mirën Kosovës nuk kanë pse shqetësohen”, ka thënë Mustafa.

Isa Mustafa ua përmend të gjitha partive sulmet ndaj tij

www.kallxo.com