Komuna e Gjakovës, FOTO: KALLXO.com

Alternativa i ofron ndihmë kryetarit Ardian Gjini për t`u ballafaquar me coronavirusin

Subjekti politik Alternativa në Gjakovë, i ka dërguar letër zyrtare kryetarit të komunës, Ardian Gjini. Në letrën e tyre ata i kanë ofruar bashkëpunimin e kontributin e tyre, përmes zyrtarëve dhe kapaciteteve profesionale që kanë brenda kuadrit partiak, për mobilizimin e parandalimit të coronavirusit.

“Subjekti opozitë ‘Alternativa’, duke iu uruar më të mirën për banorët e Gjakovës, bashkëndjen nevojën organizative me pozitën pavarësisht dallimeve politike të tyre”, thuhet në letrën e ‘Alternativës’.

 

Letra zyrtare e dërguar Ardian Gjinit nga kryetari i subjektit Alternativa, Gurakuq Dobruna:

I nderuari kryetar i Komunës së Gjakovës, z. Ardian Gjini,

Duke bashkëndjerë nevojën organizative dhe mobilizuese në masat e parandalimit kundër COVID-19 në Komunën e Gjakovës, Alternativa si subjekt opozitar politik, në situatën pandemike që mund të prekë edhe Komunën tonë, është në dispozicionin e institucionit Komunal për të dhënë kontributin e saj përmes zyrtarëve dhe kapaciteteve profesionale që ka brenda kuadrit partiak.

Duke konsideruar se përtej dallimeve politike që na ndajnë, mbi të gjitha është mobilizimi për shëndetin e qytetarëve tanë, Alternativa në Gjakovë mbetet e hapur që të bashkëpunoj në mekanizmat komunal, aty ku ju konsideroni që është i nevojshëm kontributi jonë.

Si opozitë e përgjegjshme, urojmë më të mirën për banorët e Komunës së Gjakovës dhe juve ju dëshirojmë punë të mbarë.

Me respekt, Gurakuq Dobruna, kryetar i subjektit Alternativa (dega në Gjakovë).