Aliu: Qeveria mund të mbulojë rritjen e çmimit të energjisë

Eksperti financiar Florin Aliu ka thënë se propozimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për dyfishimin e çmimit të rrymës për konsumatorët që harxhojnë më shumë se 600 kWH nuk është propozim i mirë.

Ai në debatin “Çmimi i Energjisë” në emisionin “Kallxo Përnime” tha se Qeveria e Kosovës do duhej ta mbulonte rritjen e çmimit të energjisë deri në qershor të këtij viti për të gjithë qytetarët.

“Keq, shumë keq”, është shprehur Aliu për këtë propozim duke shtuar Qeveria mund ta mbulojë këtë çështje, njëjtë sikur ua mbuloi qytetarëve në veri.

I njëjti ka thënë se është e papërballueshme për qytetarët që të kenë edhe rritje të çmimit të energjisë elektrike.

“Kur ke dyfishim nuk ke hesap me pagu, edhe e dimë sa janë rrogat këtu të na”, ka thënë ai.

Sipas Aliut çmimi i energjisë mund të bjerë prapë në qershor.

Tutje Aliu, i cili është edhe profesor në Universitetin për Biznes dhe Teknologji, ka thënë se rritja e çmimit të ushqimeve ka qenë deri në 5%.

“Hala pa u kry diskutimi për këto çmime po diskutojmë për diçka tjetër, për çmim të energjisë, ama ne po i paguajmë prapë ato [çmimet e ushqimit]”, është shprehur Aliu në “Kallxo Përnime”.

Ai po ashtu ka thënë se nuk po sheh që rritja ekonomike  e Kosovës është 9% ashtu siç ka thënë Qeveria.

“Qeveria po thotë se ka pasur rritje ekonomike deri në 9%, unë nuk po e vërej, rritje të pagave nuk ka”, tha Aliu.

“Kur ti i thua dikujt kam rritje ekonomike, këtu përfshihet çdo sen. Këto ndërtesat në Prishtinë që na e kanë zënë frymën hynë në rritje ekonomike, shkatërrimi i lumenjve po ashtu, kerret që shëtiten nëpër Prishtinë; shpenzimi i benzinës hyn në rritje ekonomike”, është shprehur tutje ai.

ZRrE më 17 janar 2022 kishte propozuar që të rikthehen bllok-tarifat e energjisë duke propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovatë të dyfishohet.

Tarifat për biznese dhe 600 kWh e parë të amvisërisë do të vazhdojnë të faturohen me tarifat e njëjta që kanë qenë, pra nuk do të ketë shtrenjtim.

Kurse, tarifa për konsumatorët shtëpiakë për konsumin mbi 600 kWh është dyfishuar. Tarifa për energjinë në tarifë të lartë nga 6.75 centë për kilovat është shtrenjtuar në 14 centë, apo një rritje prej 107%. Kurse, tarifa e ulët apo energjia e konsumuar gjatë natës nga 2.89 centë është shtrenjtuar në 6 centë, një rritje prej 107%.