Aliu: Priten marrëveshje të reja në mbledhjet që po zhvillohen me Komunitetin e Transportit

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu së bashku me Matej Zakonjšek, drejtorin e Sekretariatit të Përhershëm të Komunitetit të Transportit, kanë mbajtur konferencë për media, në lidhje me këshillin ministror të organizuar nga komiteti i transportit.

Ministri Liburn Aliu tha se për herë të parë kjo mbledhje mbahet në Prishtinë.

“Në këto mbledhje janë arrit marrëveshje të shumta dhe pritet të lidhen marrëveshje të reja. Këto marrëveshje kanë sjell rezultate të cilat lidhen me fushën e infrastrukturës dhe në fushën e transportit ndërmjet vendeve të rajonit dhe shpresojmë që me këso marrëveshje të vazhdojmë edhe më tej të krijojmë lëvizshmëri më të lehtë të qytetarëve, udhëtarëve dhe të mallrave për gjithë vendet e rajonit për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha Aliu.

Sipas Aliut, për Kosovën është me rëndësi që këtë vit takimi po mbahet për herë të parë në Prishtinë.

Aliu shtoi se kanë pasur takime bilaterale me njëri tjetrin dhe nga këto takime sipas tij priten të dalin marrëveshje të reja të cilat sipas tij do të mundësojmë liberalizim të lëvizjes për qytetarë dhe mallra.

Stefano Paci, nga Komisioni Evropian tha se transporti është fushë themelore dhe është thelbësore për integrim në BE dhe përtej kufijve.

“Transporti nuk ka kufij është mjet për integrim”, shtoi ai.

Ai tha se ndër çështjet e rëndësishme që do të diskutojnë është integrimi i Ballkanit Perëndimor në rrjetin evropian të transportit.

“Integrimi i Ballkanit Perëndimor në rrjetin evropian të transportit që do ta diskutojmë se bashku. Do të kemi shkëmbim të mendimeve. Presim debat konstruktiv dhe të frytshëm”, shtoi ai.

Kurse, Matej Zakonjšek drejtor i Sekretariatit të Përhershëm të Komunitetit të Transportit shtoi se ky takim ka qëllim integrimin e plotë të tregjeve të transportit të Ballkanit Perëndimor në BE.

“Dy prej projekteve që i vizituam dje me ministrin Aliu kemi parë progresin në linjën hekurudhore 10 që e lidh Serbinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut dhe më tej i lidh këto me Bashkimin Evropian. Dhe e kemi parë progresin e punimeve duke e vizituar Autostradën e Paqes që lidh Prishtinën përmes Mendares me Nishin e Beogradin”, shtoi ai.

Sipas tij ky është kuptimi themelor i komunitetit të transportit që ministrat e transportit të punojnë si një trup i vetëm.

“Transporti i mirë është bazë për zhvillim të mirë ekonomik zhvillon kontakte mes njerëzve dhe është një prej blloqeve kryesore për paqe dhe siguri afatgjate në rajon”, tha ai.