Foto: Shkodrane Dakaj/KALLXO.com. Rehabilitimi dhe modernizimi i linjës hekurudhore në Miradi, Fushë Kosovë.

Aliu: Po bëjmë përpjekje që rritja e çmimeve të mos ndikojë në projektin për modernizimin e hekurudhave

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, së bashku me përfaqësues nga Bashkimi Evropian dhe Sekretariati i Komunitetit të Transportit, kanë mbajtur një konferencë për media ku kanë folur për ecurinë e rehabilitimit gjeneral dhe modernizimit të linjës hekurudhore.

Aliu gjatë konferencës është pyetur nëse rritja e çmimeve për produktet që nevojiten për rehabilitimin dhe modernizimin e linjave hekurudhore do të ndikojë në zhvillimin e projektit.

Përgjigja e tij ka qenë se janë duke u përpjekur që të mos e lejojnë një gjë të tillë.

“Rritja e çmimeve në përgjithësi e produkteve ndërtimore dhe përgjithësisht për derivatet e naftës dhe e të gjitha produkteve tjera natyrisht që i ka ndikimet e veta dhe ne po bëjmë përpjekje që këto ndikime të mos pengojnë në zhvillimin e projektit”, ka thënë Aliu.

Rehabilitimin dhe modernizimin e hekurudhave Aliu e ka cilësuar si një projekt me rëndësi për Kosovën.

Ai po ashtu ka paralajmëruar se do të ketë edhe bashkëpunime të tjera në mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.