Aliu për pretendimet e PDK-së: Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me prokurorinë

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu i është përgjigjur pretendimeve të PDK-së bazuar nga gjetjet e raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Aliu ka thënë se këtë raport e ka iniciuar bashkë me zëvendësministrin, Hysen Durmishi dhe se është i gatshëm të bashkëpunojë më prokurorinë në lidhje me këtë çështje.

“Ky raport i auditimit ka treguar që ka parregullsi dhe ne e marrim seriozisht dhe e ftojmë ne prokurorinë. Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me prokurorinë dhe e kemi bo gati materialin për me u marrë pikërisht me këtë çështje dhe jemi shumë të vendosur me i shku kësaj pune deri në fund”, ka deklaruar Aliu.

Ai tha se do të bëjnë auditim për të gjitha projektet dhe mënyrën se si është punuar përgjatë viteve për të gjitha projektet në Kosovë.

“Të njëjtin auditim do të bëjmë për të gjitha projektet dhe mënyrën se si është punu përgjatë viteve për të gjitha projektet në Kosovë, edhe për rrugën Dolc – Gjakovë por edhe për të gjitha rrugët në vend”, ka thënë Aliu.

“Ne hasim parregullsi në vazhdimësi, parregullsi që nuk i kap logjika e një inxhineri apo një zyrtari normal, por ja që ka ndodh dhe e jona është që të merremi me këtë pjesë sepse duhet vendosur rendi”, shtoi ai.

Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu Kodra në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka deklaruar se pretendimet e PDK-së se Ministria e Infrastrukturës ka lidhur 42 kontrata për punë shtesë dhe disa kontrata një burimore, janë konfirmuar nga raporti i  Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Sipas Deliu Kodrës, ZKA ka gjetur një mal me parregullsi në këtë ministri.

PDK: Ftojmë Prokurorinë që të hetojë aferat korruptive në Ministrinë e Infrastrukturës