Aliu pas takimit me Kurtin, flet për çështjen e të hyrave vetanake të komunave
Kryetarët e Komunave të Kosovës ka zhvilluar sot një takim me kryeministrin Albin Kurti dhe kabinetin qeveritar ndaj të cilëve janë drejtuar me kërkesën që të iu barten mjetet e të hyrave vetanake në komuna.
Pas takimit, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës Agim Aliu, është pyetur nëse komunat kanë dhënë ndonjë datë deri kur presin që këto të hyra të ju kthehen.
Ai ka thënë se në takimin e sotëm ka pasë vullnet për të zgjidhur këtë çështje.
“Unë nuk njoh asnjë kryetar komune që ka qasje ultimative, as unë nuk kam qasje të tillë, është qasje komunikimi dhe komunikimi duhet të jetë i sinqertë dhe zhbllokues. Besoj se duhet të kemi dakordësi dhe jo formë ultimative. Nuk po besoj se vije puna që kjo çështje të shkojë të Gjykatën Kushtetuese. Takimi i sotëm ka treguar vullnet se kemi energji për t’i zgjidhur këto çështje”- ka thënë kryetari i Ferizajt.
Lidhur me çështjen e të hyrave vetanake të komunave ka folur edhe kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni i cili ka thënë se komuna që udhëheq ai nuk përballet me këtë problematikë sepse shumicën e mjeteve i kanë shpenzuar.
Ndërsa, ai ka thënë se për çështjen e tatimit në pronë sot janë dakorduar që do të mbahen takime tjera për këtë pikë.
Hyseni tutje ka folur për ankesat që kanë kryetarët e komunave tjera lidhur me qasjen dhe komunikimin me ministrat e Qeverisë Kurti.
“Për dallim nga e kaluara ku haptazi janë përkrahur komunat politikisht, tash nuk ndodh një gjë e tillë, mund të ndodh që kërkesat që ne i kem mund të jenë më të arsyeshme dhe të zgjidhen me shpejtë”- ka thënë Hyseni.
Ai ka thënë se edhe kryetarëve që vijnë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, u ndodh që të mos u përgjigjen ministrat e kabinetit Qeveritar.
“Ndodh që nuk na e hap telefonin as neve. Nuk është komunikimi i atillë që mund të pretendohet. Unë e kuptoj ministrin që ka agjendë dhe nuk mundet me hapë telefonin. Nëse kryetarët e komunave pretendojnë që ministri duhet me qenë 24 orë në shërbim të komunës kjo është pak e tepërt”- ka thënë Hyseni.
Kryeministrit i Kosovës Albin Kurti ka mbajtur sot një takim koordinues me kryetarët e komunave të Kosovës.
Pjesë e këtij takimi kanë qenë edhe ministrat dhe zëvendësministrat e kabinetit qeveritar si ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural Faton Peci dhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme Bardhyl Dobra.
Komunat kanë renditur disa kërkesa drejtuar Qeverisë.
Komunat i kërkojnë Qeverisë t’u barten të hyrat vetanake
Në këtë takim, Kurti njoftoi se para tre javësh Komisioni i granteve ka miratuar ndarjen buxhetore, me ç’ rast buxheti i komunave për vitin tjetër do të jetë 742 milionë euro.
“Para tre javëve Komisioni i granteve mbajti një takim të rëndësishëm në të cilin u miratua ndarja e granteve për komuna për periudhën 2024-2026. Buxheti i përgjithshëm komunal për vitin e ardhshëm arrin vlerën prej 742 milionë euro që i bie gati 200 milionë më shumë buxhet për komuna gjatë kësaj qeverisje se sa asaj të mëparshme që do të thotë qeveria lokale e ka vëmendjen e nivelit qendror”- tha ai.
Kurti u premton kryetarëve të komunave rritje të buxhetit