Kuvendi i Kosovës - Arkiv

Aliu: Ligji aktual për mbrojtjen e ajrit nga ndotja, nuk është në përputhshmëri me legjislacionin për ajër të BE-së

Kuvendi i Kosovës është duke shqyrtuar në parim Projektligjin për mbrojtjen e ajrit nga ndotja.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, tha se ligji ekzistues për mbrojtjen e ajrit nga ndotja nuk është në përputhshmëri të plotë me legjislacionin për ajër të Bashkimit Evropian dhe është parë si i nevojshëm që të bëhet edhe ndryshimi.

“Për të qenë në përputhshmëri të plotë me legjislacionin evropian Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka marr qëndrim që të ndryshoj dhe plotësoj ligjin ekzistues për mbrojtjen e ajrit nga ndotja dhe ky vendim është marr pas vlerësimit të përshtatshmërisë së legjislacionit të Republikës së Kosovës me atë të Bashkimit Evropian”, tha Aliu.

Sipas ministrit hartimi i këtij projektligji ka për qëllim që të rregulloj dhe siguroj të drejtën e qytetarëve për të jetuar në mjedis me ajër të pastër duke mbrojtur shëndetin e njeriut, faunën, florën dhe vlerat natyrore e kulturore të mjedisit nga ndotja e ajrit në përputhshmëri me legjislacionin evropian për ajër.

“Në ligjin ekzistues nuk janë përfshirë të gjitha obligimet e legjislacionit të BE-së në fushën e ajrit”, tha ai.

Fadil Nura, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, tha se do ta mbështesin këtë nismë ligjore për plotësim ndryshimin për mbrojtjen e ajrit nga ndotja. Ai tha se në proces e sipër do të japin rekomandime.

Edhe Besian Mustafa deputet i Lidhjes Demokratike tha se e mbështesin këtë plotësim ndryshim.

“Do i kushtojmë vëmendje dhe kontributin tonë do ta përqendrojmë tek aspekti i kostos financiare të këtij projekti”, tha ai.

Pal Lekaj deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës tha se e përkrahin këtë plotësim ndryshim.

“Kontributin tonë do ta japim mes dy leximeve”, tha Lekaj.

Projektligji për mbrojtjen e ajrit nga ndotja, ka kaluar në parim me 74 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.