Një autostradë në Kosovë - Foto: REL

Aliu: Kemi hasur probleme serioze në projektimin dhe shpronësimin e tokave për autostrada

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu në konferencë për media ka folur për ‘ngecjet’ e punimeve në autostradat në vend.

Aliu tha se në katër autostradat më të mëdha që janë duke u ndërtuar ka probleme serioze në projektimin e tyre dhe procesin e shpronësimeve.

Ministri i Infrastrukturës tha se ka raste kur shpronësimi për një urë apo kalim të caktuar në njërën nga autostradat është bërë krejt diku tjetër nga se ka qenë ajo urë.

“Në katër autostradat, Prishtinë-Gjilan, Prishtinë-Mitrovicë, Prishtinë-Podujevë dhe Dollc-Gjakovë që të katërtat një emërues të përbashkët kanë, ndonëse mund të kenë burime të ndryshme të financimit. E para është problemi i projektimit që nga dizajni e deri te procesi i elaboratit dhe shpronësimit dhe procesi i shpronësimit në tërësi. Defektet të cilat janë, janë serioze të cilat kërkojnë hetim. Jemi në fazë të auditimit të këtyre rasteve mos të harrojmë kemi raste kur një urë apo një kalim është i pozicionum në një vend të caktuar ndërsa shpronësimi për të njëjtën është bërë – ka ndodh në një vend tjetër. Pra elaboratet e shpronësimit kanë defekte themelore serioze të cilat bëhen pengesë në cilindo rast”- tha ai.

Ministri Aliu përmendi autostradën Prishtinë-Podujevë si një nga rastet më të rënda për të.

“Rruga Prishtinë-Podujevë është ndër rastet më të rënda e cila përpos problemeve të shpronësimit dhe problemeve të dizajnit ka edhe probleme të tjera gjatë realizimit të cilat jemi duke i marrë seriozisht dhe unë mund të ju them që është brengë kryesorja e jona. Shumë shpejtë do të fillojnë punimet intensive e për dhënie të datës nuk do të mund të flas sepse problemet pronësore po dalin gjithnjë të reja”- tha ai.