Aliu: Gjendja e sigurisë në komunikacion është e vështirë

Një nga temat që është diskutuar në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës është edhe çështja e sigurisë në rrugë dhe e aksidenteve që po ndodhin në komunikacion.

Pyetje për ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu kanë pasur deputetët nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri dhe Pal Lekaj.

“Më 7 tetot te vitit të vitit të kaluar zv. ministri, Hysen Durmishi ka qenë në punimet magjistrales Prishtinë-Podujevë, dhe ka premtuar se segmenti i dytë do të përfundojë në nëntor të 2021-ës. Kur do të përfundojë ky segment, pasi ende nuk ka përfundu?”, ka qenë pyetja e Tahirit.

Ai tutje ka ngritur shqetësimin se në këtë magjistrale, që sipas Tahirit është shumë e ngarkuar me komunikacion, vetëm në tre muajt e fundit ka pasur shumë aksidente me fatalitete.

Kurse ministri Aliu, ka thënë se kontrata për këtë rrugë është nënshkruar në prill të 2018-s dhe se qysh atëherë janë marr me probleme për shpronësim dhe me çështjen e kontratave.

“Brenda tre viteve janë kryer vetëm 30% e punëve, në momentin kur kemi ardh ne kemi hasur në telashe të shumta të cilat kanë pas të bëjnë me shpronësimin dhe çështjen e kontratave. Jemi marr me zgjedhjen e këtyre problemeve që më pas t’i fillojmë punimet dhe që kur kanë fillu punimet i kemi realizu edhe 40 për qindëshin e punimeve tjera.”, u shpreh Aliu.

I pari i MMPHI-së shtoi se një problem tjetër që e penalizoi punën në këtë magjistrale janë edhe kushtet klimatike.

“Nuk mund të kryhen punimet pa kushte të mira klimatike, kur t’i kemi këto kushte finalizimi i punimeve mund të bëhet brenda 30 ditëve”, tha Aliu.

Pas kësaj ishte deputeti Pal Lekaj ai që e mori fjalën.

I njëjti parashtroi një pyetje për gjendjen e sigurisë në komunikacion.

“Cilat veprime keni marr që ne t’i largohemi aksidenteve të shumta me fatalitet”, ka qenë pyetja e Lekajt.

Ky i fundit është interesuar të dijë edhe për shenjat sinjalizuese në komunikacion, që sipas tij shumica janë “të vjedhura”.

Aliu në përgjigjen e tij tha se siguria në trafik është një nga prioritetet e tij dhe të ekipit të tij.

“Nëse e krahasojmë me vendit e rajonit mund të mos jemi aq keq, por prapë se prapë gjendja është e vështirë”, u shpreh Aliu.

Sipas tij një nga shkaktarët e kësaj gjendje është edhe sinjalistika.

Aliu tha se që nga 2017-a Kosova nuk ka pasur tender për sinjalistikë.

“Ata që po thoni se i kanë marr shenjat, nuk kanë pas as çka me marr se nga viti 2017 nuk kemi kontratë për sinjalizim horizontal dhe vertikal”, u shpreh Aliu.