Aliu: Është një moment i veçantë për FSK-në, Qeveria u vonua me vendimin

Deputeti i Vetëvendosjes, Liburn Aliu, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit për FSK-në ka thënë se partia e tij do të votojë pro vendimit të Qeverisë për dërgimin e FSK-së në misione paqeruajtëse jashtë vendit.

Por, ai ka kritikuar Qeverinë se pse e ka vonuar një vendim të tillë, që sipas tij, rrezikonte të dështonte si mision.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme për vendin e për FSK-në që të dërgohen ushtarë në misione paqeruajtëse. Kjo përbën një moment të veçantë. Është një avancim serioz, duhet të jemi falënderues ShBA-ve. Nëse do të vinte vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e Qeverisë, atëherë ky mision do të dështonte”, ka thënë Aliu.

Ndërsa kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës, misionin e parë paqeruajtës ndërkombëtar do ta ketë në kuadër të Gardës Kombëtare të shtetit amerikan Ajova.

Hoti ka thënë se Qeveria i ka ndërmarrë të gjitha vendimet procedurale për këtë mision.

Kuvendi i Kosovës është mbledhur në seancë të jashtëzakonshme për të votuar propozimin e Qeverisë për dërgimin e FSK-së në misione paqeruajtëse jashtë vendit.