Ali Zhuniqi: Në Rahovec një komplet me vezë është tenderuar 4 euro

Në emisionin e sotëm “Jeta në Komunë” i ftuar është kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi.

Përballë Latifit nga ana e opozitës është vetëm asamblisti nga LVV, Ali Zhuniqi, i cili tha se personat të afërt me AAK-në fitojnë tenderë në Rahovec.

“Për sa i përket gjelbërimit, kryetari tha se 18 deri 25% jo është 30% e drunjëve që janë tha. Për më tepër është prapë i afërt me drejtorin e Urbanizimit personi që e ka fitu tenderin. 30% të drunjëve janë tha dhe e njëjta kompani pak para emisionit ka fillu me i zëvendësu disa drunj aty-këtu”, tha Zhuniqi.

Ai theksoi se tenderë në Komunë marrin edhe ish-kandidatët për Asamble Komunale. Sipas tij, një komplet vezësh e kanë tenderuar me 4 euro.

Ali Zhuniqi, LVV. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

“Sa i përket kontratave, nëse këta thonë që shpërblehen të afërt të AAK-së, ne e kemi një kontratë që është e lidhur me ish-kandidatin për Asamble, I njëjti ka fitu një kontratë për furnizimin me gjëra ushqimore, Sadik Cana, ka fitu projekt me furnizimin e çerdhes së Tulipanës. Një tabëll vezë është tenderuar me 4 euro, merreni  me mend dhe ne e dimë se një tabëll vezë është 2 e 20 deri 2  e 70”, tha Zhuniqi.

Për këtë reagoi kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi.

“Qe 15 vite e njëjta kompani e merr dhe nuk e di kush e ka marrë. Edhe mandatin e parë e njëjta kompani i ka mbajtur këto furnizimet  për pije dhe ushqim dhe janë kontrata të rregullta vjetore dhe se di për çmimin e vezëve po përdoren për çerdhen në Rahovec, jo për komunë”, tha Latifi.

 

Sonte në debatin “Jeta në Komunë” përballë Jeta Xharrës, është kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi.

Në këtë debat, Latifi do të ballafaqohet me premtimet e bëra në fushatën e vitit 2017, punët e përfunduara si dhe ato të papërfunduara deri tani, për tri vite të qeverisjes.

Tek pyetjet e ‘zërit të qytetarëve’, Latifi do të arsyetohet për mos funksionalizimin e hemodializës, mungesës së ujit e kanalizimit, me problemet e vreshtarëve të Rahovecit si dhe me problemet e mësimdhënësve të larguar nga puna e po ashtu edhe me muzeun e zbrazët të këtij qyteti.

Përballë Latifit nga ana e opozitës është vetëm asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ali Zhuniqi. Pjesëmarrës në debat janë edhe asamblisti i AAK-së, Ali Morina dhe nënkryetari i komunës, Fatmir Iska.