Aleksandër Lumezi, Kryeprokuror i Shtetit. Foto: Kallxo.com

Aleksandër Lumezi: Elez Blakaj deshi të bëjë famë pa e luftuar krimin

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, e ka kritikuar ish-vartësin e tij, prokurorin Elez Blakaj, i cili ka shkuar në Shtetet e Bashkuara pas kërcënimeve që, siç ka thënë, i ka marrë gjatë hetimit të listave të veteranëve.

Sipas Lumezit, prokurori Blakaj ka dashur të bëjë famë pa e kryer punën e tij.

Kryeprokurori i Shtetit e pranoi se e kishte thirrur Elez Blakajn për ta pyetur për arsyet pse e kishte intervistuar ish-kryeparlamentarin, Kadri Veseli.

“Edhe kjo  mund të them me plot fjalën se është keqpërdorë nga prokurori, i cili ka dashtë me bo famë për vete pa e luftu krimin. Krimi nuk luftohet nëpërmjet deklaratave publike por luftohet nëpërmjet veprimeve konkrete”, theksoi Aleksandër Lumezi.

Në tryezën e organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Kryeprokurori i Shtetit tha se e ka thirrur në bisedë ish-prokurorin Blakaj pasi që ai nuk e kishte informuar për intervistimin e kryetarit të Kuvendit. Sipas Lumezit, secili prokuror është i obliguar me ligj ta njoftojë Kryeprokurorin e Shtetit kur të intervistohen zyrtarë të lartë të institucioneve të shtetit.

“Ka ligj të detyrueshëm se nëse hetohet presidenti, kryeministri, kryeparlamentari, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, kryetari i Gjykatës Supreme, Kryeprokurori i Shtetit, deputetët, ministrat, drejtorët e ndërmarrjeve publike, kryetarët e komunave, duhet të njoftohet Kryeprokurori i Shtetit. Edhe unë e kam thirrë pasi që e ka marrë në pyetje Kadri Veselin, për t’u informuar në çfarë cilësie e ka thirrë”, shtoi Aleksandër Lumezi.

Ai shtoi se këtë ia lejon neni 13 i Ligjit mbi Prokurorin e Shtetit, i cili parasheh se në çdo moment  Kryeprokurori i Shtetit mund të thërrasë prokurorin  dhe të kërkojë nga i njëjti raport për gjendjen, zhvillimin dhe shqyrtimin e një rasti.

Po ashtu edhe neni 156 i Kodit të Procedurës Penale parasheh, sipas tij, që prokurori çdo 3 muaj duhet të konsultohet me kryeprokurorin e zyrës së vet për rastet me qëllim që të konstatojnë a të vazhdojnë hetimet a të pezullohen apo të pushohen hetimet.

Lumezi në këtë diskutim tregoi se iniciativa për ndjekje penale të rastit të veteranëve të luftës ka ardhur pasi që Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore e kanë kritikuar Qeverinë për shkak të harxhimeve të buxhetit për pagim të veteranëve të rrejshëm.

Në këtë tryezë mori pjesë edhe ambasadori i Ambasadës Britanike, në Prishtinë, Nicholas Abbott, i cili tha se qytetarët e Kosovës, në këtë kohë fushate kanë nevojë të dëgjojnë për masat konkrete për luftimin e korrupsionit e jo vetëm deklarata.

“Nuk është e mjaftueshme që të kemi vetëm deklarata  për luftimin e korrupsionit. Qytetarët e këtij vendi kanë nevojë që të dëgjojnë cilat janë masat konkrete që partitë politike do i ndërmarrin në këtë drejtim”, tha ai.