Foto: Volodymyr Zelensky / facebook

Aleati i Trumpit: Fokusi i Ukrainës duhet të jetë paqja, jo territori

Një ish-këshilltar i presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, ka thënë se administrata e ardhshme  do të fokusohet më shumë në arritjen e paqes në Ukrainë sesa që t’i mundësohet shtetit në luftë kthimi i territorit të pushtuar nga Rusia, ka raportuar transmetuesi britanik BBC.

Bryan Lanza, i cili punoi në fushatën presidenciale të Trumpit për zgjedhjet e 2024-tës, i ka thënë BBC-së se administrata e re do t’i kërkonte presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, për versionin e tij të “një vizioni realist për paqe”.

“Dhe nëse presidenti Zelensky ulet pranë tryezës dhe thotë, paj mirë ne mundtë kemi paqe vetëm nëse e kemi Krimenë, ai na tregon neve se nuk është serioz”, ka thënë ai. “Krimeja është punë e kryer”.

Një zëdhënës i Trumpit e ka distancuar presidentin e ardhshëm prej deklaratave të Lanzas, duke theksuar se ai “nuk flet në emër të tij”.

Rusia e aneksoi gadishullin e Krimesë më 2014. Tetë vjet më vonë, nisi pushtimin e plotë të Ukrainës dhe deri tani ka pushtuar hise të mëdha të territorit lindor të ish-republikës sovjetike.

Presidenti i zgjedhur amerikan vazhdimisht ka thënë se prioritet i tij do të jetë përfundimi i luftës dhe ndalje e asaj që e ka quajtur shterje e burimeve amerikane, në formën e ndihmave ushtarake për Ukrainën.

Por ende mbetet të shihet nëse do ta çojë përpara qasjen e tij – dhe mbase do të dëgjojë edje versionet sfiduese për të ardhmen e Ukrainës prej këshilltarëve të të tij të ndryshëm.

Lanza, këshilltar politik i Trumpit gjatë fushatave të viteve 2016 dhe 2024, nuk i ka përmendur rajonet lindore të Ukrainës, por ka thënë nuk ishte realiste pritja e kthimit të Krimesë dhe se “nuk është qëllim i Shteteve të Bashkuara”.

“Kur Zelensky thotë se ne do të heqim dorë prej luftimeve vetëm kur të kthehet Krimeja, ne e kemi një lajm për presidentin Zelensky: Krimeja ka shkuar”, ka deklaruar ai për programin e fundjavës të shërbimit botëror të BBC-së.

“Dhe nëse prioriteti yt është kthimi i Krimesë dhe të keni ushtarë amerikanë që luftojnë për kthimin e Krimesë, jeni të vetëm”, ka thënë ai.

Ukraina asnjëherë nuk ka kërkuar trupa amerikane në Ukrainë. Lidershipi ukrainas po ngulmon që të ketë më shumë armatim nga Perëndimi për t’iu kundërpërgjigjur Rusisë.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com