Aleati i Macronit vë bast se presidentit po i lëkundet karrigia
Ish-kryeministri francez, Edouar Philippe, e ka “goditur” Emmanuel Macronin, duke e shpallur kandidaturën e tij për zgjedhjet e ardhshme presidenciale, përderisa presidenti aktual po përballet me një krizë të pashembullt politike.
Philippe, figurë politike e qendrës së djathtë që ka një raport të ndërlikuar me presidentin Macron, po mobilizohet për zgjedhjet e ardhshme të mundshme për t’u mbajtur në fillim të vitit 2025, shkruan “Politico”. Philippe ka vënë bast se Macroni do të detyrohet të japë dorëheqje para se ta mbarojë mandatin e tij më 2027, kanë thënë shumë burime brenda partisë së tij “Horizontet”. Ata zyrtarë dhe këshilltarë të tjerë politikë qeveritarë kanë folur për “Politico” në kushte anonimiteti për t’i ruajtur raportet e tyre me presidentin.
Philippe, i cili aktualisht është kryetar i Le Havres, së pari rroku vëmendjen e madhe në një intervistë për “Le Pointin” të martën, duke i thënë të përjavshmes franceze se “do të ishte kandidat për zgjedhjet e ardhshme presidenciale”, që zyrtarisht do të mbahen më 2027. I pyetur nëse është i gatshëm në rast të zgjedhjeve të parakokshme presidenciale, është përgjigjur: “Po, e konfirmoj”.
Vendimi i tij për ta sulmuar publikisht Macronin kaq herët është një goditje e madhe për presidentin Macron, i cili më parë e kishte konsideruar Pehlippen aleat, vlerëson “Politico”.
Megjithëse ambiciet e tij presidenciale janë sekret publik, vendimi i Phelippes ishte i papritur duke pasur parasysh se Macroni ka shtuar përpjekjet për të gjetur zgjidhje për ngërçin politik pasi asnjëra prej tri partive dhe aleancave të mëdha politike, nuk e ka shumicën e nevojshme për zgjedhjen e kryeministrit.
Macroni është zotuar të mbetet në krye të Francës deri në zgjedhjet e ardhshme. Marrëdhënia e Macronit dhe Philippes ishte shquar për rivalitet dhe respekt të përbashkët. Ish-kryeministri, i cili është një prej politikanëve më popullor të Francës, ishte zotuar për mbështetje “besnike”, por të pakushtëzuar për Macronin, me partinë e tij “Horizontet” që mbështeti presidentin në parlament.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com