
Aleatët përendimorë me mospajtime lidhur me dërgimin e avionëve luftarakë në Ukrainë
Një debat midis aleatëve të Ukrainës nëse do t’i sigurojë kësaj të fundit avionë luftarakë për luftën e saj kundër Rusisë ka bërë që presidenti amerikan Joe Biden ta përjashtojë mundësinë e dhënies së F-16, ndërkohë që udhëheqësit francezë dhe polakë thonë se “asgjë nuk përjashtohet” kur bëhet fjalë për ndihmën ushtarake.
Presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar se çdo vendim i tillë do të varet nga disa faktorë, duke përfshirë nevojën për t’a evituar përshkallëzimin dhe garancitë se avioni nuk do ta “prek tokën ruse”.
Kryeministri polak Mateusz Morawiecki ka thënë përmes komenteeve të tij të postuara në faqen e tij të internetit se çdo transferim i tillë do të ndodhte “në koordinim të plotë” me vendet e NATO-s.
Zelenskiy ka bërë thirrje që armët perëndimore të furnizohen më shpejt. Duke folur në video-fjalimin e tij të natës, presidenti ukrainas tha se Rusia shpresonte ta zvarriste luftën dhe t’i shteronte aftësinë e vendit të tij për t’i rezistuar pushtuesve.
Moska zyrtare ka paralajmëruar se furnizimi i mëtejshëm i armëve nga perëndimi në Ukrainë do të rezultonte vetëm në “përshkallëzim të konsiderueshëm” të konfliktit. Kievi “kërkon gjithnjë e më shumë armë” ndërkohë që vendet e NATO-s “gjithnjë e më shumë po përfshihen drejtpërdrejt në konflikt”- tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, pasi zëvendësministri i Jashtëm i Ukrainës, Andriy Melnyk, i bëri thirrje Gjermanisë t’i dërgonte vendit të tij një nëndetëse.
Forcat ruse kanë vazhduar me sulme ndaj pozicioneve në të gjithë vijën e frontit pranë qyteteve lindore të Bakhmut dhe Donetsk. Trupat e Moskës kanë goditur Bakhmutin në Donbasin për disa muaj, por ditët e fundit pushtuesit duket se kanë hapur një përpjekje të re për të fituar terren rreth fshatit Vuhledar, 50 km në jugperëndim të qytetit Donetsk.
Qeveria ruse të hënën ndaloi eksportuesit vendas të naftës dhe organet doganore t’i respektojnë kufijtë e çmimeve të vendosura nga perëndimi për naftën bruto ruse. Ky vendim u lëshua për të ndihmuar në zbatimin e dekretit të Presidentit Vladimir Putin të 27 dhjetorit që ndalon furnizimin me naftë bruto dhe produkte të naftës nga 1 shkurti për pesë muaj, për vendet që e respektojnë çmimin tavan. Akti i ri rus i ndalon korporatat dhe individët që t’i përfshijnë mekanizmat e kufizimit të çmimit të naftës në kontratat e tyre.
Ushtria e Ukrainës do të shpenzojë gati 550 milionë dollarë (505 milionë euro) në dronë (UAV) në vitin 2023 dhe 16 marrëveshje furnizimi janë nënshkruar tashmë me prodhuesit ukrainas, tha ministri i mbrojtjes Oleksii Reznikov. Ukraina ka marrë furnizime të konsiderueshme të UAV-ve nga partnerët e saj, por Kievi tani po kërkon ta rrisë prodhimin vendas për të ndërtuar atë që zyrtarët e quanin një “ushtri dronësh”.
Presidenti Volodymyr Zelenskiy u takua të hënën me kryeministren e Danimarkës, Mette Frederiksen, në rajonin jugor të Ukrainës, Mykolaiv. Dyshja “shqyrtuan gjendjen e infrastrukturës energjetike të rajonit, mjetet e mbrojtjes së saj dhe ritmin e rimëkëmbjes” dhe diskutuan ndikimin e një rakete ruse dhe sulmeve me dron, thuhet në një postim të Zelenskiy në Telegram.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i ka kërkuar Koresë së Jugut ta rrisë mbështetjen ushtarake për Ukrainën, duke sugjeruar që ajo ta rishqyrtojë politikën e saj për të mos eksportuar armë në vendet në konflikt. Stoltenberg e falënderoi Korenë e Jugut për ndihmën e saj jo-vdekjeprurëse për Ukrainën, por i kërkoi asaj të bëjë më shumë, duke shtuar se ka një “nevojë urgjente” për municion.
Ministri i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, Ben Wallace, ka thënë se tanket e dhuruara për Ukrainën do të arrijnë në vijën e frontit “këtë verë”. Britania duhet të jetë “me të vërtetë krenare” që ka udhëhequr botën në mbështetjen e Ukrainës dhe përballjen e agresionit rus, ka thënë kryeministri Rishi Sunak.
Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, i ka kritikuar vendet perëndimore për furnizimin e Ukrainës me tanke të rënda dhe armë të tjera. Duke folur për gazetarët në Zagreb, Milanoviq tha se ai ishte “kundër dërgimit të çdo arme vdekjeprurëse” në Kiev, duke argumentuar se furnizimi i Ukrainës me armë vetëm “zgjat luftën” dhe se Krimea, gadishulli i Detit të Zi i pushtuar dhe aneksuar nga Rusia në 2014, “nuk do të bëhët asnjëherë më pjesë e Ukrainës”./The Guardian, Al Jazeera
Përgatiti: Nuhi Shala