Foto: Donald J. Trump / Facebook

Aleatët dhe rivalët presin valë hakmarrjesh pas kthimit të Trumpit

Në natën kur u mor vesh se do të kthehej në presidencë, Donald J. Trumpi deklaroi se “ka ardhur koha që të bashkohemi” dhe që “t’i hedhim prapa krahëve ndasitë e katër viteve të kaluara”. Kështu deklaroi atë natë, kujton gazeta amerikane “The New York Times”, në një analizë të publikuar të hënën (11.11.2024).

Dhe iu deshën vetëm 5 orë të tjera që Trumpi të niste të kërcënonte përsëri me kthimin e pushtetit për të hetuar ata që e zemërojnë, shkruan “The Times”.

Në fillim pati raportime se Trumpi do të shiste aksionet e platformës së tij sociale për ta rritur vlerën e pasurisë së tij, por presidenti i zgjedhur paralajmëroi se ata që spekuluan thashetheme të tilla “duhet të hetohen menjëherë nga autoritetet përkatëse”.

“Se a do ta çojë përpara këtë ose shumë kërcënime të tjera të tij për të hetuar antagonistët është ende e paqartë. Zoti Trump nganjëherë qorton pa e menduar dy herë. Ama nuk është gjithnjë kështu”, shkruan gazeta, duke kujtuar se gjatë gjithë fushatës së tij kishte paralajmëruar se do t’i ndryshonte thelbësisht punët që mendonte se nuk ishin bërë mirë, duke i bërë aleatët dhe rivalët e përbetuar të hanë mendjen se mund të ketë një valë hakmarrjesh politike pasi ai të marrë pushtetin e Shtëpisë së Bardhë në janarin e vitit të ardhshëm.

“Tetë vjet pas fitores së parë, zoti Trump kthehet në Shtëpinë e Bardhë më i zemëruar, më i hidhëruar, më i acaruar dhe duke folur më hapur për hakmarrje se herën e fundit. Thirrja e tij momentale për unitet në natën e zgjedhjeve çoi në disa parashikime se ai mund të lehtësonte kërcënimet dashakeqe. Në fund të fundit, ai në thelb ka marrë gjithçka që dëshiron – shfajësim nga votuesit, një fitore zgjedhore më bindëse se herën e parë dhe tekefundit është pothuajse i sigurt se i ka ardhur fundi çdo rreziku për të shkuar vetë në burg, veçanërisht pasi Gjykata e Lartë u dha presidentëve imunitet të gjerë nga ndjekja penale për aktet e kohës në detyrë”, shkruan “The Times”.

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com