Aleanca për Shqiptarët: Duhet mbështetur të gjithë kandidatët shqiptarë që garojnë përballë BDI-së

Aleanca për Shqiptarët në Maqedoni të Veriut ka njoftuar se menjëherë pas shpalljes së rezultateve, kanë shprehur qëndrimin e tyre si koalicion se duhet mbështetur të gjithë kandidatët shqiptarë të opozitës që garojnë përballë BDI-së.

“Mirëpresim thirrjen e Lëvizjes Besa për mbështetje të kandidatëve të koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa dhe përsërisim qëndrimin tonë kozistentë, se edhe anëtarët dhe simpatizantët tanë dhe të gjithë votuesit e tjetër të mbështesin kandidatët e Lëvizjes Besa në komunat ku ata përballen me BDI-në”, thuhet në njoftimin për media.

Aleanca për Shqiptarët ka theksuar që Lëvizja Besa duhet përfundimisht që ndahet nga BDI në mënyrë që të krijohet një shumicë e re parlamentare.

“Në të njëjtën kohë vazhdojmë të vlerësojmë se BDI duhet të bjerë nga çdo pushtet. Shpresojmë që Lëvizja Besa ta ketë me njëmend ndarjen nga e keqja, por rikujtojmë se kjo bëhet vetëm nëse BDI hiqet ME KA KREJT nga pushteti dhe krijojmë shumicë të re parlamentare”, thuhet tutje në njoftim.

Sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes Besa, Arjanit Hoxha, sot nëpërmjet një konference për media, zyrtarizoi bashkëpunimin me Aleancën për Shqiptarët dhe mbështetjen e ndërsjellë, ku këto subjekte politike garojnë me kandidatë të tyre për në rundin e dytë të zgjedhjeve lokale.

Hoxha tha se një hap i këtillë është nxitur posaçërisht nga zhvillimet e fundit në skenën politike shqiptare.

“Duke analizuar zhvillimet e fundit në skenën politike si dhe koalicionin e rivjetërsuar midis BDI-së dhe PDSh-së, për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, imponohet pozicionimi i qartë i Lëvizjes Besa kundrejt politikave të vjetra të këtyre dy partive politike të cilat pa asnjë parim të vet dhe kundër vullnetit të vet detyrohen të bashkohen për interesin e vet”, tha Hoxha, raporton portalb.mk.

Zgjedhjet lokale në Maqedoni të Veriut janë mbajtur më 17 tetor, ndërsa balotazhi do të mbahet më 31 tetor.