Aleanca Kosovare e Bizneseve: Ora policore nuk e heq virusin

Aleanca Kosovare e Bizneseve përmes një postimi në Facebook ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për masat e reja anti COVID-19 nuk do ta ndalin virusin.

“Ora policore nuk e heq virusin, ky është më aktiv kur ka lëvizje ditën jo kur nuk ka lëvizje natën”, thuhet në postimin e tyre.

Tutje është thënë se AKB ka vlerësuar se Qeveria në mungesë të një plani kombëtar për zhvillim dhe integrim e zgjedh ngadalësimin dhe izolimin e vendit.

“Shumë vende të Ballkanit dhe EU-së kanë marr masa lehtësues për ekonomin duke hequr dorë nga izolimi i cili ka dhënë rezultate negative kurse qeveria e bën të kundërtën”, thanë ata.

Sipas të njëjtëve vendimi për orë policore dhe shkurtimi i orarit të punës nuk do të sjellë asgjë të mirë për Kosovën.

“Ky vendim do të sjellë lajm, humbje dhe pakënaqësi për të gjithë qytetarët dhe bizneset e prekura nga kufizimi i orarit të punës”, është shprehur AKB.