Aleanca e re Zaev – Kasami shqetëson partinë e Ali Ahmetit

Një aleancë e re e sapoformuar midis Partisë Social Demokrate të Zaevit dhe partisë etnike shqiptare Lëvizja Besa, ka zemëruar partnerin e Social Demokratëve në qeveri, Bashkimin Demokratik për Integrimin, BDI.

 

Partia etnike shqiptare në pushtet në Maqedoninë e Veriut është shqetësuar nga njoftimi i një aleance të re zgjedhore midis partnerit të saj të madh dhe një partie tjetër etnike shqiptare.

Një zyrtar i lartë nga Bashkimi Demokratik për Integrim, BDI, tha se marrëveshja e re midis Social Demokratëve dhe BESA do të dëmtonte vetëm votat shqiptare në zgjedhjet e përgjithshme të prillit.

Ademi tha se partitë etnike shqiptare duhet të bashkojnë forcat brenda kampit të tyre për të maksimizuar numrin e deputetëve shqiptarë në parlament. “Ky veprim bie në kundërshtim me interesat shqiptare dhe është një përpjekje zhgënjyese për mbijetesë në skenën politike”, tha ai.

Social Demokratët e Zoran Zaevit dhe BESA, e drejtuar nga Bilal Kasami, njoftuan aleancën e tyre zgjedhore të enjten.

Vendi nuk ka parë kurrë formimin para zgjedhjeve të një aleance midis lojtarëve kryesorë maqedonas dhe atyre shqiptarë.

Që kur Maqedonia e Veriut u bë e pavarur, rregulli i pashkruar ka qenë që fituesit në kampet maqedonase dhe shqiptare negociojnë një koalicion qeveritar vetëm pas zgjedhjeve. Shqiptarët etnikë përbëjnë afërsisht një të katërtën e popullsisë së Maqedonisë së Veriut, e cila ka një popullsi prej prej 2.1 milionë banorësh.

Drejtuesit e aleancës së re thanë se kjo do të ndihmojë në ndërtimin e një shoqërie më të shëndoshë dhe më gjithëpërfshirëse në Maqedoninë e Veriut, duke shtuar se ata ishin të hapur për partneritet të mëtejshëm me aktorë të tjerë politikë që ndajnë të njëjtat vlera.

Aleanca e re do t’ia vështirësojë gjërat BDI-së, e cila i ka kaluar 18 nga 20 vitet e fundit si një partner i ri në qeveritë e ndryshme të koalicionit, për të ruajtur epërsinë e saj në bllokun shqiptar.

Në zgjedhjet e parakohshme të 12 prillit ajo do të garojë jo vetëm kundër kësaj aleance, por edhe kundër një aleance tjetër të re etnike shqiptare, e përbërë nga Aleanca për Shqiptarët dhe partia Alternativa.

Pasi kaloi vite në qeveritë e udhëhequra nga VMRO DPMNE-ja, BDI-ja ndryshoi anë dhe u bashkua me Social Demokratët në vitin 2017. Dhjetë deputetët e saj në parlamentin me 120 vende kanë luajtur një rol kryesor në sigurimin e një shumice të vogël për kabinetin e Zaevit.

Por aleanca e tyre filloi të krisej në fund të vitit të kaluar. Në dhjetor, BDI u përplas me Social Demokratët përsa i takon këshillës së Komisionit të Venecias për të rishikuar Ligjin për Gjuhët 2018, i cili kishte rritur përdorimin zyrtar të shqipes në të gjithë vendin.

Më pas, në një lëvizje në dukje të koordinuar me partinë opozitare VMRO DPMNE, BDI doli kundër Social Demokratëve edhe një herë, duke parashtruar mijëra ndryshime në tre ligje kryesore në parlament, duke bllokuar në mënyrë efektive miratimin e tyre përpara zgjedhjeve.

Një prej këtyre ligjeve do ta kishte shndërruar vendin në një njësi të vetme zgjedhore, në krahasim me gjashtë aktualet, gjë e cila do të ndihmonte partitë më të vogla të fitonin më shumë vende në parlament.

Sipas nënkryetarit të Social Demokratëve, Muhamed Zeqiri, ndarjet u rishfaqën në fillim të këtij muaji, përpara një votimi tpër një ligj të rëndësishëm për Prokurorinë. Zeqiri të enjten tha se disa deputetë të BDI-së, të cilët e mbështetën ligjin, më parë kishin lobuar kundër tij.