Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Albulena Haxhiu - Xhafer Tahirit: Mbroje pronën publike, zbato vendimin e Ministrisë

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, ka reaguar për rifillimin e punimeve në pronën “Vicianium” në Vushtrri, pavarësisht vendimit të Ministrisë që kjo të mos bëhet.

Ajo ka thënë se kryetari Vushtrrisë Xhafer Tahiri, nuk duhet të lejojë këtë keqpërdorim të pronës publike.

“Kompania të cilës ia kemi shkëputur kontratën për shkak se e njëjta ishte lidhur me shkelje të rënda ligjore, pavarësisht vendimit të Ministrisë, ka rifilluar punimet në pronën “Vicianium” në Vushtrri. Kryetari i Komunës, z. Xhafer Tahiri nuk duhet të lejojë keqpërdorimin e pronës publike”, ka thënë Haxhiu.

Ajo thekson se vendimi i Ministrisë është mbi vendimet e komunës dhe se ajo pronë duhet të mbrohet.

“Vendimi i Ministrisë është mbi çfarëdo vendimi që ka marrë Komuna për t’ju përshtatur interesave të atyre që janë përgjegjës për këtë dëmtim të pronës. Prona duhet të mbrohet. Ne jemi njoftuar që kompania ka paditur Ministrinë, prandaj deri në një vendim të Gjykatës, kompania nuk guxon të rifillojë punimet”, shtoi tutje ajo.

Haxhiu po ashtu i ka bërë thirrje kryetarit të Komunës ta mbrojë pronën publike dhe policisë që ta zbatojë vendimin e Ministrisë.