Albulena Haxhiu sqaron raportin e saj me kompaninë e Faton Dalladakut

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas publikimit në disa portale të një dokumenti të nënshkruar nga ajo, përmes të cilit ofertonte në emër të kompanisë së Faton Dalladakut për të blerë një pronë nga Agjencia e Privatizimit.

Faton Dalladaku është biznesmeni për mashtrimin e të cilit nga gjykata e shkallës së parë janë dënuar dy persona, Rrahim Hashimi e Kadri Rexhepi.

Ndaj këtyre dy të fundit ishte ngritur aktakuzë pas publikimit të disa videove, në të cilat ata shihen duke i marrë para Dalladakut me pretendimin se do t’i ndihmojnë për blerjen e një spitali në Prishtinë. Në këto video-incizime, Hashimi e Rexhepi pretendojnë se për ta realizuar pazarin kanë mbështetjen e Kadri Veselit e të Xhavit Halitit, drejtues të PDK-së.

Haxhiu nuk e ka mohuar të ketë punuar për kompaninë e Dalladakut, ku thotë se ka qenë zyrtare ligjore e kompanisë.

Ajo pretendon se publikimi i dokumentit është një luftë speciale për ta njollosur integritetin e saj.

Ky është reagimi i plotë i Albulena Haxhiut:

Disa portale paskan publikuar një dokument ku ishte emri im dhe lajmit i ishte dhënë aso kuptimi që të aludohej se ishte ndonjë krim apo skandal.

Për sqarim të opinionit publik ky dokument është i mbi 10 viteve kur unë e kam vendosur emrin tim në cilësinë e përfaqësueses ligjore të asaj kompanie aso kohe dhe për më tepër është dokument i shkruar dhe evidentuar, nuk ka asgjë sekrete e të fshehur aty.

E kuptoj luftën e egër të zhvatësve nëpërmjet portaleve të caktuara që tentojnë që çdo punë ligjore të tentohet të përkthehet si punë kundërligjore.

E kuptoj edhe luftën speciale të këtyre zhvatësve me qëllim të njollosjes së integritetit tim.

Pavarësisht kësaj, unë do t’i shkoj deri në fund punës time të ndershme pavarësisht sfidave.

Zhvatësit kot e kanë sepse sulmet e tilla nuk na ndalin.

Dhe në fund sa i përket ish drejtorit të Agjensionit Rrahim Rama, tashmë kam bërë padi kundrejt tij. Me të do ballafaqohem në Gjykatë.

Por po ashtu do bëjmë njoftim për policinë për gjitha shkeljet që ka bërë gjatë kohës sa ishte drejtor në këtë Agjension.