Albulena Haxhiu komenton dorëheqjen e Shpend Ahmetit nga PSD

 

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, komentuar dorëheqjen e Shpend Ahmetit si dhe zgjedhjen e Dardan Molliqajt në krye të PSD-së.

Në një intervistë për KALLXO.com, Haxhiu ka thënë se mesazhin më të mirë, PSD-ja e ka marrë në zgjedhjet e 6 tetorit.

“Mesazhin më të mirë që e kanë marrë ky subjekt politik është mesazhi i qytetarëve të Republikës së Kosovës të shprehur në zgjedhjet e 6 tetorit, çfarëdo që unë sot them është e tepërt, qytetarët e kanë vlerësuar, prandaj nuk mund të them diçka tjetër”, tha ajo.

Ndërsa e pyetur se a ka VV ndonjë qasje të re ndaj atyre që u larguan dy vite më parë dhe kaluan në PSD, si dhe a do ta pranonin kthimin në VV të ndonjërit prej tyre, Haxhiu tha se nuk kanë diskutuar për ndonjë mundësi.

“As nuk është që e kemi diskutuar në Lëvizjen Vetëvendosje e as nuk kemi ndonjë interes që të merremi me ata të cilët kanë ikur nga Vetëvendosja dhe e kanë pasur qëllim që të ta dëmtojnë Lëvizjen Vetëvendosje”, tha ajo.

Më 15 dhjetor të këtij viti, Shpend Ahmeti ka dhënë dorëheqje nga pozita e kreut të PSD-së, parti të cilin e kishin marrë 12 deputetët e pakënaqur të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ahmeti ka dhënë dorëheqje pas rezultatit të zgjedhjeve të 6 tetorit, ku PSD-ja nuk arriti të siguroj asnjë ulëse në Kuvend.

Nga kjo parti, pas zgjedhjeve kanë dhënë dorëheqje edhe Dardan Sejdiu dhe Fisnik Ismaili, ndërsa Dardan Molliqaj është zgjedhur kryetar.