Albulena Haxhiu: Jam e dëshpëruar që institucionet e drejtësisë nuk kanë adresuar krimet e luftës

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ftuar në emisionin ‘Jeta në Kosovë’ për të diskutuar në lidhje me ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, që mundëson gjykimin e kriminelëve në mungesë, ka thënë se është e dëshpëruar se si institucionet e drejtësisë nuk kanë arritur që të adresojnë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

Haxhiu tha se ka një diskrepancë të numrit të lëndëve nga Këshilli Prokurorial dhe Prokuroria Speciale.

“Unë jam e dëshpëruar se si institucionet e drejtësisë ende nuk kanë nisur zbatimin e këtij ndryshimi që është shumë i domosdoshëm. Unë kam pasur takim edhe me Këshillin Prokurorial edhe me prokurorët special dhe është shqetësuese se si në Prokurorinë Speciale janë vetëm 15 prokurorë dhe tre prej tyre merren me krimet e luftës.  Këshilli prokurorial më kanë thënë se janë duke pritur nga Prokuroria Speciale që me na njoftu saktësisht se sa lëndë të krimeve të luftës i kanë. Dhe këtu ka një diskripancë të madhe, sepse Këshilli Prokurorial më ka thënë se janë 200 apo 300 lëndë, ndërsa prokurorja speciale, Drita Hajdari, ka thënë se janë diku 800 apo 900 raste”, ka thënë Haxhiu.

Tutje, Haxhiu ka thënë se ka kërkuar nga Këshilli Prokurorial që t’ia dorëzojnë asaj të gjitha kërkesat buxhetore që i kanë, për të kuptuar nëse ka nevojë për shtimin e prokurorëve, apo gjyqtarëve dhe bashkëpunëtorëve profesionalë.

“Madje unë jam tronditur atë ditë kur kam pasur takim me prokurorët specialë kur më kanë thënë se iu duhen ende një ekspert që i njofton prokurorët për hierarkinë se si ka qenë e organizuar ushtria serbe. Unë jam duke pritur nga Këshilli Prokurorial që të më njoftojnë me kërkesat që i kanë. Dhe kur i kam pyetur se pse nuk po zbatohet ky nen, më kanë thënë se ne nuk i dijmë adresat e kriminelëve që kanë kryer krime. Ndryshimi që është bërë në Kodin e Procedurës Penale nuk ka të bëjë me adresën. Institucionet tona, Prokuroria dhe Policia në bashkëpunim me Departamentin për bashkëpunim juridik ndërkombëtar brenda Ministrisë së Drejtësisë, duhet të komunikojnë me shtetin serb, për adresimin e këtyre krimeve”, ka thënë ministrja në detyrë, Haxhiu.

Për këto tema po diskutohet me Albulena Haxhiun, ministre e Drejtësisë, Ramadan Ahmeti – Policia e Kosovës, Adelina Tërshani, autore e teksteve si dhe koordinatore e projekteve në Rrjetin e Grave, Dijana Simiq, aktiviste që punon me viktimat e dhunës dhe Kreshnik Gashi, autor i emisionit “Drejtësia në Kosovë” .