Albulena Haxhiu, deputete nga radhët e Vetëvendosjes
Albulena Haxhiu i del në mbrojtje prokurores Drita Hajdari
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidataja e propozuar nga Albin Kurti për Ministre të Drejtësisë, Albulena Haxhiu i ka dalë në mbrojtje prokurores Drita Hajdari, e cila sot ka raportuar në polici për kërcënimet që ka marrë.
Drita Hajdari ka qenë prokurore në rastin ‘Pronto’ ku të gjithë të akuzuarit u shpallën të pafajshëm nga Gjykata Themelore e Prishtinës.
“Kërcënimet ndaj përfaqësuesve të institucioneve të drejtësisë janë të papranueshme dhe duhet të dënohen”, ka shkruar Albulena Haxhiu në Facebook.
“Ata që tentojnë që përmes veprimeve të paligjshme të pengojnë prokurorinë, duhet të dalin para drejtësisë dhe të dënohen sipas ligjit prandaj edhe i ftojmë institucionet që sa më parë të veprojnë në këtë drejtim”, ka shkruar tutje Haxhiu.
Të premten në mbrëmje, Drejtësia në Kosovë shfaqi intervistën ekskluzive me prokuroren e ‘Prontos’, Drita Hajdari e cila ka rrëfyer mbi gjithë procesin.