Albulena Haxhiu: Familjarët e mi mund ta padisin Hashim Thaçin në Gjykatën e Zvicrës

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu i ka reaguar përsëri presidentit Hashim Thaçi për akuzat e këtij të fundit në lidhje me një laborator të drogës në Prishtinë, që sipas Presidentit “grupi i Kurtit kanë tentuar t’i zhdukin provat e konfiskuara”.

Ministrja Haxhiu e ka quajtur Hashim Thaçin, “President shpifës”, derisa ka njoftuar se familjarët e saj, që janë me shtetësi zviceranë janë duke u konsultuar me avokatë zviceran për ta paditur Thaçin në Zvicër.

“Ju njoftoj që lidhur me akuzat e shpifjet e tij, familjarët e mi me shtetësi zvicrane janë duke u konsultuar me avokatë për ta paditur Hashim Thaçin, në Gjykatën e Zvicrës”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Haxhiu poashtu ka kërkuar nga Policia që ta demantoj presidentin në lidhje me deklaratat mbi këtë laborator droge.

“Në anën tjetër policia DUHET ta demantojë Hashim Thaçin sepse ata i kanë informacionet e sakta. Le të dalin e të flasin publikisht”, ka shkruar Ministrja Haxhiu.