Albulena Haxhiu dëgjon nga Enver Dugolli historinë e masakrës në Burgun e Dubravës
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka vizituar sot Burgun e Dubravës së bashku me zv. Ministri i Mbrojtjes, Enver Dugolli, i cili është i mbijetuar i kësaj masakre.
Haxhiu ka shkruar në Facebook se për dallim prej herave të tjera, sot ka dëgjuar rrëfimin e Dugollit në lidhje me vrasjet në Burgun e Dubravës.
“Sot vizitova burgun e Dubravës, por kësaj here me një tjetër ndjenjë dhe respekt. Së bashku me mua ishte dhe zv. Ministri i Mbrojtjes, z. Enver Dugolli. Ishte rast më i mirë për të dëgjuar prej tij rrëfimin mbi çka ndodhur gjatë atyre ditëve kur kryhej gjuetia më makabre e njerëzve. Nga njëra anë ishte ushtria pushtuese e Milosheviçit që gjuante me të gjitha armët mbi të burgosur politikë te pambrojtur. Dubrava u kthye në një skenë madhështore të eksterminimit masiv. Është një ndër krimet më të brutale të shekullit. Data 22 maj na mbetet ende një problem ndërgjegjeje dhe drejtësie. Falemnderit Enver Dugolli për rrëfimin”, ka shkruar Haxhiu.