Ish-Sekretarja Amerikane e Shtetit, Madeleine Albright

Albright: Pres që Ballkani të gjejë përkrahjen e Administratës Biden

Ish-Sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, ka deklaruar se Ballkani është më stabil dhe më paqësor sesa që ishte para 25 viteve.

Albright foli edhe për ndërhyrjen amerikane në Kosovë në vitin 1999.

“Kanë kaluar më shumë se dy dekada që nga intervenimi Shteteve të Bashkuara në Kosovë. Besoj se ShBA dhe aleateët e bënë gjënë e duhur për të ndalur gjakderdhjen. Kur më pyesin për arritjet une flas për Bosnjën dhe Kosovën”, tha ajo në seancën dëgjimore në Kongresin Amerikan me temën “Ballkani: Rekomandimet politike për Administratën e ardhshme”.

Sa i përket Kosovës, Albright theksoi se “objektivat e përbashkëta janë që të jetë një vend normal dhe të respektohen të gjitha të drejtat ndërkombëtare për të mbrojtur territorin”.

Albright shtoi se është e vetëdijshme për sfidat që kanë mbetur në rajon, pasi sipas saj në vendet e rajonit korrupsioni mbetet i thellë.

Ish-Sekretarja e Shtetit duke folur për presidentin e zgjedhur amerikan Joe Biden, theksoi se pret që popujt e rajonit të gjejnë përkrahjen e tij.

“Sot Ballkani është më stabil dhe më paqesor sesa që ishte para 25 viteve. Pres që popujt e rajonit do të gjejnë përkrahjen e Administratës Biden. Kam pasur nderin të punoj ngusht me ta, ai e njeh rajonin dhe kjo është e rëndësishme për SHBA-në”, theksoi Albright.

Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton dhe ish-Sekretarja e Shtetit Madeleine Albright kanë vizituar Kosovën më 12 qershor të vitit 2019,  për shënimin e 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës.