Albin Kurtit i ndryshohet forma e raportit për sigurinë në vend vetëm katër ditë para se të vinte në pushtet

KALLXO.com ka zbuluar se Kryeministri i vendit, Albin Kurti nuk është duke i marrë raportet e Këshillit të Sigurisë në të njëjtën formë si i merrte paraardhësi i tij, Ramush Haradinaj.

Raportet e dërguara nga Policia, FSK-ja, Agjencioni për Emergjenca dhe Dogana e Kosovës janë ndryshuar vetëm katër ditë para se Kurti të merrte pushtetin.

Çdo ditë, Kryeministri i vendit pranon nga një raport për gjendjen e sigurisë ku shkruhen incidentet, arrestimet dhe ngjarjet rreth sigurisë në vend.

Parardhësit e Kurtit këtë raport e merrnin me të dhëna si: emrat, pozicionet e të arrestuarave apo të dhënat nga operacionet e doganës.

Siç mëson KALLXO.com me kërkesë të mbikqyrësve të Këshillit të Sigurisë në Kryeministri, kjo formë është ndryshuar vetëm katër ditë para se Kurti të merrte detyrën.

Vendimi për të ndërruar formën është marrë me 30 janar nga Drejtorati i Qendrës së Situatave të Këshillit të Sigurisë së Republikës së Kosovës.

KALLXO.com zbulon se qysh në ditën e parë të punës të Albin Kurtit si Kryeministër, një e-mail me disa kërkesa të veçanta u ka shkuar zyrtarëve të Këshillit të Sigurisë së Kosovës nga shefi i tyre, Shaqir Shaqiri.

Këtyre të fundit me anë të e-mailit u kërkohet që raporti ditor që duhet t’i shkojë Kryeministrit në tavolinë, nga ajo ditë do të ndërrohet.

Në këtë komunikim të cilin e posedon KALLXO.com, zyrtarët njoftohen për vendimet e takimit të datës 30 janar 2020, ku thuhet se raporti ditor për sigurinë në vend do të ndryshojë.

Ky e-mail është shkruar nga Drejtori i Qendrës së Situatave të Këshillit të Sigurisë, Shaqir Shaqiri.

Tutje në këtë e-mail, Shaqir Shaqiri u tregon zyrtarëve se si të përgatisin një raport i cili i shkon çdo ditë në tavolinë Kryeministrit të Republikës së Kosovës.

Ai u kërkon zyrtarëve që të dhënat për sigurinë në vend të shkruhen në mënyrë telegrafike. Pra, të krijohet një raport i përgjithshëm për ngjarjet e sigurisë që ndodhin brenda 24 orëve.

Ndërrimi i mënyrës së raportimit në këtë rast, sipas e-mailit që posedon KALLXO.com, nënkupton që raporti të hartohet vetëm me të dhëna se ku ka ndodhur rasti, kur ka ndodhur dhe sa raste kanë ndodhur.

Në një bisedë të shkurtë për KALLXO.com, Shaqiri Shaqiri e ka pranuar ndryshimin por thotë se nuk ka fshehje të informacioneve për kryesuesin e Këshillit të Sigurisë që është Kryeministri, por vetëm ka ndryshuar forma e hartimit të raportit.

“Ne e informojmë çdo ditë kryesuesin çdo ditë me informatat që ne i posedojmë. Raportin e bëjmë ne, nuk kemi ndërru asgjë. Ka ndryshuar vetëm forma e punimit të raportit, jo me ndryshu rrjedha e informatës, përmbajtja e informatës, por vetëm forma e punimit”, tha për KALLXO.com, Shaqir Shaqiri.

KALLXO.com ka biseduar edhe me ushtruesin e detyrës së sekretarit të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, Bekim Podrimqaku, por i njëjti nuk ka dashur të komentojë mbi përmbajtjen e e-mailit për ndryshimin e përmbajtjes së informatave të cilat i jepen çdo mëngjes kryesuesit të Këshillit, i cili sipas ligjeve në fuqi është kryeministri i Republikës.