Foto: Kallxo.com

Albin Kurti zotohet për botimin e librit për Adem Demaçin

Nën melodinë e himnit kombëtar dhe atij shtetëror u hap ekspozita “Kujtesa e Kosovës, portrete të Adem Demaçit në pikturë dhe fotografi” me rastin e 84 vjetorit të lindjes së intelektualit shqiptar.

Kryeministri Albin Kurti u zotua që së bashku me MKRS-në do të botojnë librin “Adem Demaçi”.

“Kur nuk kishim shkolla, ai ishte mësuesi. Kur nuk kishim universitet ishte intelektuali. Kur ishim të ndarë na bashkoi. Zotohem që se bashku me Ministrinë e Kulturës do të botojmë librin për bacën Adem “Adem Demaçi” tha Kurti në hapjen e ekspozitës ne Bibliotekën Kombëtare.

Ndërsa, koleksionisti i fotografive dhe pikturave Selatin Novosella kërkoj nga Qeveria që të themelohet instituti për të burgosurit politik me emrin Adem Demaçi dhe të mbështesin financiarisht botimin e librit me 40 vëllime për shkrimtarin shqiptar.

Novosella shtoi se i ka të ruajtura rreth 10 mijë dorëshkrime si libra, gazeta, intervista të Demaçit.

Hapjen e  kësaj ekspozite e organizuan Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Shoqata e të Burgosurve Politik.

Adem Demaçi, simboli i rezistencës së shqiptarëve të Kosovës, i cili qëndroi 28 vjet si i burgosur politik në burgjet e ish-Jugosllavisë, vdiq më 26 korrik 2018.

Ai ishte liruar nga burgu në prill të vitit 1990.